Lajme

Berisha – Kurtit: Kosovën nga pozita e qeveritarit e ligjëron si storie suksesi


Anton Berisha.

Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni si dhe ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka kritikuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit që mbajti me Sekretaren e Jashtme britanike, Liz Truss.

Berisha, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, konsideron se Kosova nuk duhet të paraqitet si histori suksesi.

“Përderisa ai është duke bredhur në dynja prej katedre në katedër, që vendin e vet, të cilin  nga pozita e opozitarit e paraqiste të shkatërruar për 20 vjet, e nga pozita e qeveritarit e ligjëron si storie suksesi, vartësit e tij në Kosovë janë duke bërë kërdinë në buxhetin e Kosovës ndërsa ritmi i rritjes së çmimeve është i bërë tmerri i qytetarit Kosovar”.

Ndër të tjera pohoi se Kurti si kryeministër po luan rolin e një ligjëruesi dhe kryeministri me peshë globale.

“Ky djalë, që nuk ka lënë gurë pa lëvizur dhe nuk ka lënë kënd pa gjuajtur me gurë, për të ardhur në pushtet, tash nga pozita e kryeministrit refuzon deri në sabotim për t’u marrë me qeverisjen e vendit të vet në përmasat dhe me problemet reale të saj, e që janë të shumta, dhe në virtualitetin e qeverisjes dhe gjendjes si pjellë e imagjinatës së tij luan rolin e një ligjëruesi dhe kryeministri me peshë globale”.

Ai është shprehur se kreu i ekzekutivit është duke sjell vetëm dëme ndaj Kosovës.

“E përkthyer në realitet, ai Kosovën është duke e dëmtuar për çdo ditë përderisa vetes është duke ia plotësuar, siç e tha një deputet i tij, ëndrrat e dëshirat personale hiç më pak se nga pozita e kryeministrit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Oksford Union në Britani të Madhe e ka quajtur Kosovën histori suksesi.

“Ishte një nder që pata mundësinë të flisja në OxfordUnion për Republikën tonë të re, origjinën, rrugëtimin dhe fatin e saj. Sot Kosova është një histori suksesi, një fitore e demokracisë dhe një perspektivë premtuese për socialdemokracinë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore