Shqipëria

Berisha kujton Nishanin: Dielli perëndoi përgjithmonë për ish-presidentin


Kryetari i saposhpallur i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i dedikoi një status të gjatë ndarjes nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për ish-presidentin Bujar Nishani”, shkruan fillimisht ish-kryeministri.

Sot, vijon Berisha, ish-presidenti Bujar Nishani mbylli sytë përgjithmonë duke zhytur kështu në dhimbje, zi e pikëllim të thellë familjen e tij të dashur, miqtë e të afërmit, Partinë Demokratike dhe mbarë Shqipërinë.

“Ish presidenti Bujar Nishani, ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqesoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptare”, vijon lideri demokrat mesazhin ngushëllues.

Sipas Berishës, ish-presidenti përmbushi gjatë 30 viteve detyra të rëndësishme nga drejtues drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes, ministër i Rendit Publik dhe deri në President i Republikës.

Bujar Nishani ishte gjithashtu, shton kreu i PD-së, një drejtues i shkëlqyer dhe efiçent e i dashur i Partisë Demokratike.

Kjo, si deputet, ministër, dhe kandidat i votuar për president të Republikës nga mazhoranca e kësaj partie.

Te Nishani, nënvizon Berisha, kishte njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të dashur dhe më të çmuar.

Ai do mbetet gjithmonë në memorien time si mirënjohje e thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi patur, shton kreu i selisë blu.

Në përmbyllje ai ngushëllon dhe familjen Nishani.

“I lutem Zotit që shpirti i mirë i Bujarit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin!”, ravijëzon Berisha për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore