Shqipëria

Berisha krahason portin e ri në Durrës me inceneratorët


Porti i ri i Durrësit, është një model “copy-paste” me atë të inceneratorëve.

Kështu mendon ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, pas fjalës së tij në foltoren e Parlamentit, rreth debatit dhe diskutimeve për marrëveshjen e Portit të ri.

Sipas Berishës, pavarësisht se dy çështjet në përmbajtje janë “diametralisht të kundërta”, në praktikë, ato janë të njëjta si dy pika uji.

“Djegësit me Marina-Bay janë dy gjëra diametralisht të kundërta por në praktikë janë si një pikë uji e ndarë në dysh. Njësoj si me djegësit, bëhet një procedurë super e përshpejtuar”, shtoi më tej kreu i Partisë Demokratike gjatë fjalës së tij.

Ai vijoi duke hedhur akuza të forta mbi kryeministrin, Edi Rama, duke pretenduar se ky i fundit është përfitues i drejtpërdrejtë në projekt.

“Të dyja zhvillohen pa garë, të dyja zhvillohen me sipërmarrës të paracaktuar, të dyja zhvillohen me financime nga offshore. Janë maska që vë për të fshehur vjedhjen e tmerrshme që bën”.

Teksa, në mbyllje, Berisha e përmblodhi fjalën, duke thënë se ajo çfarë po ndodh, është një akt armiqësor, sepse zhduk në mënyrë tërësore portin më të leverdishëm në Shqipëri.

Kështu, duke rritur çmimin e mallrave për shkak të transportit, sepse, sipas kryeopozitarit, veprimet do të duhet të kryhen tashmë përmes portit të Selanikut dhe atij të Tivarit.

Megjithatë, sipas kryeministrit Rama, ky i Portit të Durrësit, është projekti më i madh në Shqipëri dhe është një projekt historik, duke u kthyer në portën kryesore hyrëse në vend.

Projekti për Portin e Durrësit, Rama: Historik, do të jetë porta kryesore e Shqipërisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore