Shqipëria

Berisha i kundërpërgjigjet Ambasadës ruse: 4.1 miliardë dollarë u ofruan për termocentrale në Seman


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një postimi në Facebook, mbrëmjen e 18 marsit ka reaguar pas akuzave të Ambasadës Ruse në Tiranë, sa u përket deklaratave të tij të një dite më parë ndaj projekteve me gjigantin e gazit “Gazprom”.

Reagimin, ai e konsideron si “provokativ të stilit sovjetik të përfaqësuesve të diktatorit Putin”.

“Gazprom dhe qeveria ruse bënë çfarë kishin në dorë dhe përdorën të gjitha linjat korruptive të gazit të tyre për të bllokuar projektin e TAP. Në javën e parë të gushtit të vitit 2011, një mik i imi biznesmen i njohur turk më solli nga presidenti i Gazprom një mesazh”, shkruante Berisha në Facebook.

Sipas tij, “në rast se unë do të hiqja dorë nga projekti i TAP-it dhe të mbështesja projektin ITGI, i cili anashkalonte Shqipërinë dhe kalonte në trajektoren Turqi-Greqi-Itali dhe që furnizohej kryesisht me gaz rus”.

Ai bënte me dije se me këtë, pala ruse ofronte ndërtimin e një gazsjellësi Igumenicë-Vlorë me mundësi shtrirjeje edhe deri në Shkodër.

“Investimin prej 4.1 miliardë dollarë në termocentrale të mëdha gazi në Seman. Këto do vendoseshin në një takim që do zhvillohej midis meje dhe presidentit të Gaspromit. Oferta u refuzua për arsye politike nga ana ime. Nuk pranova investimet e Gasprom-it se besoja, dhe koha më dha të drejtë, se ato nuk ishin në interes të vendit tim”, përmbyllte postimin e tij.

Deklarata e Berishës për mediat

Në deklaratën e tij të 17 marsit, Sali Berisha ravijëzonte se ka refuzuar një “ofertë marramendëse” nga kompania ruse e gazit “Gazprom” në kohën që ka qenë kryeministër, duke preferuar të nënshkruajë marrëveshjen me TAP-in.

Gjithashtu, edhe se ndihej krenar për këtë marrëveshje, që është në interes të shqiptarëve.

“Unë dua t’ju rrëfej se në të gjithë agjendën time 8-vjeçare me Washington-in dy kanë qenë problemet më madhore, TAP-i dhe NATO-ja. Kam mirënjohje të pa kufijshme për qeveritarët, ministrat, këshilltarët e mi që punuan në qindra takime me përkushtim të madh derisa më në fund u firmos kontrata. Tirana u bë kryeqyteti i Ballkanit për TAP-in”.

Mesditën e 18 marsit do të vinte edhe reagimi i Ambasadës, e cila e pyeste Berishën, pas deklaratave të këtij të fundit sesa kërkuar që as Gazprom-i nuk mundi t’i mblidhte “shumat përrallore”.

“Na lind natyrshëm pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato ‘shuma përrallore’?”, pyeste diplomacia ruse në Tiranë, nëpërmjet një postimi në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore