Shqipëria

Berisha: Gjyqin ndaj Salianjit do e bëjmë çështje ndërkombëtare


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka bërë me dije se çështjen e deputetit Ervin Salianji “do ta bëj ndërkombëtare”.

Berisha theksoi se PD nuk do të lejojë e pranojë kurrë që në Shqipëri të rikthehen proceset politike, ndërsa përmendi disa emra zyrtarësh policie, duke paralajmëruar ndjekje penale për ta.

“Do çojmë për ndjekje penale Ardi Veliun, ish-kryepolicin e Fierit, oficerët e turpshëm, që manipulojnë dhe falsifikojnë prova. Ndjekjen penale të Artan Gjermenit, të Petra Sadushit, që në verbëri zbatojnë vetëm urdhra politikë. Çështjen Salianji, PD do ta bëjë një çështje ndërkombëtare dhe nuk do të pranojë kurrë që në Shqipëri të rikthehen proceset politike”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë, sot më 4 korrik do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës seanca ndaj deputetit Salianji.

Ky i fundit u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë, në lidhje me çështjen “Babale”.

Së bashku me gazetarin, Jetmir Olldashi – i cili u dënua me gjashtë muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti – e kanë çuar çështjen në Apel, pasi nuk pranuan vendimin e shkallës së parë që dyshja ka kryer “kallëzim të rremë”.

Nëse Apeli konfirmon vendimin e shkallës së parë, atëherë Salianji rrezikon burgun.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një mesazhi drejtuar deputetëve ka shprehur mbështetje ndaj Salianjit.

Ai u ka nisur një mesazh deputetëve duke u kërkuar të jenë të pranishëm në sallë.

“Përshëndetje kolegë! Ndoshta jeni në dijeni që të hënë, datë 4 korrik ora 2 në Gjykatën e Apelit zhvillohet gjyqi ndaj kolegut Salianji. Siç dihet dhe siç është bërë publike, e gjithë ngjarja dhe procesi gjyqësor vijues janë një orkestrim hakmarrës politik i pastër nga qeveria dhe eksponentë  politike të mazhorancës”.

Për Alibeajn është detyrim “së pari njerëzor e pastaj edhe politik që deputetët tanë anëtarë të Komisionit të Sigurisë të jemi të pranishëm në sallë ditën dhe orën e gjyqit”.

Salianji dhe Olldashi u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore