Shqipëria

Berisha garanton kandidatët për “ndershmërinë” e primareve


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha garantoi të mërkurën e 23 nëntorit të gjithë kandidatët për ndershmërinë e procesit të primareve.

Kjo e fundit, është thirrur për zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë nga radhët e selisë blu dhe Partisë së Lirisë.

Lajmi u bë i ditur për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike.

“Pasaporta e hapjes dhe ndryshimit thelbësor të Partisë Demokratike. Ato kanë krijuar një impakt shumë pozitiv te anëtarët dhe simpatizantët tanë dhe në tërësi te të gjithë shqiptarët që besojnë te vota e lirë dhe respekti i individit, anëtarit dhe mbështetësit të Partisë Demokratike”, u shpreh fillimisht Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, shqiptarët kanë nevojë jetike për ndryshimin e Partisë Demokratike si parti e shpresës, besimit dhe të ardhmes.

Kjo, shtoi Berisha, realizohet vetëm me vepra, hapa konkrete.

“Në këtë kontekst, ne pas ndryshimeve të thella dhe një cikli të paprecedentë votash brenda në parti, pas miratimit të rregullave tona dhe kushtetutës tonë partiake, zgjedhjeve primare, ne tani kalojmë në zgjedhjen e qeveritarëve vendorë. Dhe kjo përbën pa diskutim ndryshim më të madh të kësaj force politike në këto 30 vite”, theksoi kryedemokrati.

Ish-kreu i qeverisë nënvizoi në përmbyllje se këto janë primaret e para që zhvillohen në këtë formë në PD dhe në Shqipëri.

“Duhet të bëjmë gjithçka për suksesin e këtij procesi. Kudo kandidatët tanë në primare po paraqiten jo si të krahut tjetër që jetojnë si në shpellat e mafies, por janë të gjithë para anëtarëve, janë në media janë edhe me të vërtetë kanë arritur ta bëjnë këtë proces me interes të veçantë te publiku”, vërejti Berisha.

Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Julian Deda do të kandidojnë për primaret në Tiranë.

Kandidatët kanë filluar prej disa ditësh fushatën e tyre me elektoratin blu, në njësitë e kryeqytetit.

Ata kanë shpalosur para demokratëve disa ide themeltare të fushatës paraprake për të shkuar drejt përballjes me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

E përbashkëta e tyre ishte dakordësimi “pas humbjes brenda llojit” drejt qëllimit kryesor, ai i fitores së një mandati që do të peshonte shumë në ekulibrat politikë të vendit.

Deri më datën 4 dhjetor…

Kështu ka vendosur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha për përmbylljen e primareve, ku do të përzgjidhen kandidatët për kryetar bashkie.

Këta të fundit do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2023.

Të parat që do të mbajnë primaret, do të jenë Tirana, Elbasani dhe Durrësi ndërsa kandidatët kanë vetëm 2 javë kohë për të bërë fushatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore