Shqipëria

Berisha: Basha shkon në SHBA me 2 dosje të rënda


Ish-lideri demokrat, Sali Berisha, nga foltorja në Librazhd ka deklaruar të premten e 19 nëntorit, se kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha, në Shtëpinë e Bardhë në SHBA, do të shkojë me dy dosje të rënda.

“Lulzim, në Shtëpinë e Bardhë shkoi dhe Saimir Tahiri, me dosjen ‘Habilaj’ në kurriz. Ti shkon aty me dy dosje po kaq të rënda, ku njëra është dosja ‘Muzin’ dhe tjetra ‘Toyota Yaris’. Këtë të fundit e ndan me Taulant Ballën. Dosja ‘Muzin’ është e nxehtë për peng Bashën. Edhe Tahiri shkoi me dosjen ‘Habilaj’, por ja tek është nga gjykata në gjykatë”.

Më 15 nëntor, Basha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, i kërkoi kryeministrit Edi Rama të botojë fashikullin e çështjes së tij për “Toyota Yaris”.

Lulzim Basha flet në Parlament

“Më drejtohet mua, më thotë pse nuk shkon ti në Belgjikë, shko në SPAK dhe merr fotokopjen e dëshmisë sime në prani të prokurorëve, prokurorit belg e autoriteteve shqiptare për ‘Toyota Yaris’. Se ti e di fare mirë, ti ndal çështje penale. Fashikullin e çështjes sime e ke prej një viti, merre, botoje”, u shpreh Basha.

Berisha shtoi se Basha harroi çdo zotim që ka dhënë.

“Peng kryetari, i cili u zotua se do mbrojë votën tuaj, se nuk do njohë zgjedhjet, harroi çdo zotim, shkelmoi çdo zotim. U kthye dhe u mor vetëm me karrigen e tij”.

Sipas tij, Basha në tetë vite ka pasur katër humbje.

“Ju sakrifikuat shumë çdo gjë, për fitoren e PD-së, ndërsa ai kishte agjendë tjetër, si të bëhej ai që nuk ishte kurrë, si të bëhej lider, duke lëvizur në Shqipëri pa u shoqëruar nga askush”.

Berisha njoftoi se numri i atyre që kanë firmosur për Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit po shkon 5 mijë.

“Pse nuk i publikojmë? Ka tre pengesa ligjore. Të dhënat personale, Gjykata Kushtetuese, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Një gjë të tillë nuk e bëjnë ata që i besojnë shtetit ligjor. Një gjë të tillë e bëjnë vetëm zuzarët, që s’kanë ligj e moral. Ne në pushtet kemi ngritur një komisioner për mbrojtjen e të dhënave personale. Ne nuk përsërisim Edi Ramën, nuk prodhojmë patronazhistët e Edi Ramës”.

Katër ditë më parë, Basha tha se nuk do të ketë Kuvend të Partisë Demokratike më datë 11 dhjetor, por më 18 dhjetor 2021, kur do të thirret ai legjitimi.

Lulzim Basha gjatë një replike në distancë me Sali Berishën

Pas deklaratës së ish-liderit historik, Sali Berisha, se Kryesia e Partisë Demokratike është ilegjitime, kryedemokrati Lulzim Basha e ka konsideruar thirrjen e Kuvendit nga Berisha si “kundërvënie e një pjese të vogël të PD-së kundër Shteteve të Bashkuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore