Shqipëria

Berisha apo Elezi: Nis procesi i votimit për kryedemokratin e ri


Selitë e Partisë Demokratike kanë nisur procesin e votimit në të gjitha qarqet për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj force politike.

Në fletët e votimit gjenden dy kandidatët e pabarabartë si ish-kryeministri Sali Berisha (numri 1 në listë – AP) dhe ish-kryetari i demokratëve në Kukës, Ibsen Elezi.

Pikërisht ky i fundit, e ka kontestuar garën për shkak të afërsisë së datës në kohë të zgjedhjeve, duke mos i lënë mundësi që të shpaloste platformën e tij në vend.

Përmes një njoftimi Komisioni i Rithemelimit njoftoi se janë hapur të 108-të qendrat e votimit në të gjitha degët e PD-së.

“Procesi ka filluar e vijon normalisht. Komisioni do të qëndrojë i mbledhur deri në fund të procesit të votimit, derisa të votojë edhe anëtari i fundit i PD për të monitoruar si dhe për të marrë cdo masë në kohë reale për cdo problematikë apo nevojë që mund të kenë degët”, shkruhet në deklaratë.

Në përmbyllje, Komisioni ftoi të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike që të bëhen pjesë e procesit më të rëndësishëm të zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Demokratike.

Edhe pse data u caktua nga kjo strukturë pothuajse tre javë më parë, fitorja e Berishës do të jetë një formalitet dhe do të pritet vetëm mbyllja e votimeve për ta shpallur atë.

Në pamjet e siguruara nga Albanian Post shihet një prani e pakët në njësinë 8 të Tiranës.

Kjo, për shkak se votimi ka filluar vetëm një orë më parë dhe pritet të mbyllet rreth orës 18:00.

Sot, demokratët votojnë për kryetarin e tyre të ri në një periudhë aspak të qetë dhe të zakontë për partinë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore