Shqipëria

Berisha apo Alibeaj, kush hyn në zgjedhjet vendore me logon e PD-së


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i japë fund të enjten e 9 marsit në orën 10:00 dilemave brenda Partisë Demokratike për faktin se kush hyn në zgjedhjet vendore me siglën blu.

Në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj kanë aplikuar për regjistrim dy subjekte brenda së njëjtës seli: “Partia Demokratike e Shqipërisë” dhe “Partia Demokratike”.

Institucioni zgjedhor do të shqyrtojë ndër të tjera edhe kërkesën e Partisë Socialiste, Partisë së Lirisë, Bindjes Demokratike, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Lëvizjes Bashkë.

Më herët, KQZ-ja regjistroi 42 parti politike dhe 4 komitete nismëtare që do të organizojnë punën për kandidatët e pavarur.

Të hënën e 6 marsit, përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa u paraqit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të depozituar dokumentacionin për regjistrimin e PD-së në zgjedhje.

“Do e vlerësojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk e kuptoj gjithë këtë interes kaq të madh. Bëmë një veprim thjesht procedural. Është praktikë e ndjekur nga të gjitha partitë politike”, tha Sefa.

Ndërsa, të dielën ishte grupi i Sali Berishës që dorëzoi dokumentacionin për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor.

Në fund do të jetë kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i cili do të vendosë se cilën kërkesë do të pranojë.

Situata është krejt e qartë përtej gjëegjëzave mes palëve: PD-ja hyn në zgjedhje me kandidatët e Alibeajt, kandidatët e Primareve do të dalin me koalicionin e formuar para vendimit të Gjykatës së Apelit.

Vendimi i saj për statusin e Partisë Demokratike ka zhbërë të gjitha vendimet e marrë nga Berisha, duke përcaktuar se vula i mbetet kreut të Grupit Parlamentar, Alibeaj.

Duket se zgjedhjet e 14 majit do të jenë një përsëritje e atyre të vitit të kaluar, të paktën për situatën e krijuar në PD.

Edhe pse pranuan se do të futen në zgjedhje me koalicion, demokratët e Berishës ende deklarojnë se ka vetëm një PD.

Madje ata kanë miratuar edhe rezoluta që dënojnë veprimet e Alibeajt dhe ish-kryetarit demokrat, Lulzim Basha.

Ky i fundit dhe pse i deklaruar si i dorëhequr ende nuk e ka zyrtarizuar atë.

Pra ligjërisht ai është në krye të Partisë Demokratike derisa gjykata ta regjistrojë dorëheqjen.

Duke lënë pas situatën e krijuar në PD, në KQZ është regjistruar Partia Socialiste dhe Partia e Lirisë, e cila futet sërish në lojë.

Ajo është partia më e mundshme me të cilën Berisha mund të realizojë koalicionin e provuar në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të vitit të kaluar.

Kryetari i mandatuar i PD-së, Enkelejd Alibeaj dha in extremis propozimin për daljen me një kandidat të përbashkët dhe unik, duke mos përjashtuar as kandidatët e dalë nga procesi i Primareve demokrate.

Pavarësisht “shtrirjes së dorës” nga Alibeaj, deputeti demokrat nga radhët e Rithemelimit, Edi Paloka mendon se kjo është një hipokrizi.

“Kur del nga goja e Ali-Bashëve është thjesht hipokrizi dhe koha e ka provuar. Vulën ia dha Rama, pas vendimit të gjykatës janë hapur në krah të Ramës dhe tani duan bashkëpunim me partinë demokratike. Alibeaj nuk do bashkëpunim, por tha të marrim të peshojmë kandidatët e primareve dhe të zgjedhim ne”, u shpreh përfaqësuesi demokrat.

Ai shtoi se janë në fazën e fundit të negociatave për regjistrimin e kandidatëve për kryebashkiakë nën koalicionin Meta-Dule.

“Të gjitha partitë me të cilat kemi marrëveshje, LSI, PBDNJ, sipas formulës që ka sot në kodin zgjedhor, do gjendet formula optimale, por bisedimet janë me të gjithë aleatët”, vijoi Paloka.

Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha janë tre të deleguarit e grupimit “Alibeaj” që do të tentojnë të krijojnë komunikim me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Përpjekje, të cilat, do të vijojnë deri të premten edhe pse premisat për gjetjen e një gjuhe të përbashkët janë pothuajse të pamundura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore