Shqipëria

“Alibeaj drejtues i Grupit Parlamentar, Yuri Kim po ndërhyn për zgjedhjen e kryetarit të PD-së”


Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit të Rithemelimit, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se e njeh Enkelejd Alibeajn si drejtues të Grupit Parlamentar të PD-së.

Nga selia blu, ai tha se në mbledhje u diskutua për probleme të brendshme të PD-së.

“U ra dakord që çdo proces, për të cilin një anëtar i PD-së ka objeksion, t’i nënshtrohet procesit të përbashkët të auditit. Në këtë diskutim u fol për zgjerimin e spektrit të bashkëpunimit me organizata të tjera veç atyre partnere”.

Po ashtu, Berisha nuk la pa përmendur edhe reagimin e Ambasadës Amerikane, e cila theksoi se nuk negociohet me pozicionin amerikan për non gratat. 

Sipas tij, ambasadorja amerikane, Yuri Kim po ndërhyn në zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike.

“Askush nuk ka tjetër tagër të caktojë kryetarin e PD-së. Një përpjekje e dështuar për të ndërhyrë në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës në sovranitetin e një force të lirë politike”.

Për Berishën, kryetarin dhe kryesinë e PD-së nuk do ta përcaktojë askush tjetër, përveçse anëtarët e kësaj partie.

Që pas takimit të ambasadores amerikane Kim me kryetarin e Komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, Komisioni i Rithemelimit ka reaguar nëpërmjet një sërë deklaratash.

Ishte fillimisht deputeti i PD-së dhe një prej anëtarëve të fraksionit të Sali Berishës brenda kampit blu, Edi Paloka, i cili e ka quajtur takimin “një turp”.

Madje, ai e cilësoi atë si një shkelje jo vetëm të çdo etike, por edhe shkelje të të gjithë ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Për Komisionin e Rithemelimit, Kim “injoroi vendimin e Gjykatës, si dhe vullnetin e qytetarëve”.

“Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vjenës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit – organit kolegjial të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Deklaratat do të kulmonin me Berishën, që akuzonte Yuri Kim-in se i ka dërguar një person në zyrë, ku propozonte që të hiqte dorë provizorisht nga gara për kryetarin e Partisë Demokratike, ndërsa i kishte garantuar edhe largimin e Bashës.

Për Berishën, kjo ishte “shkelje e parimeve themelore mbi të cilat bazohet demokracia, e statusit të saj por ishte dhe përpjekje e dështuar e radhës e zonjës për të përcaktuar kreun e PD-së”.

Sipas tij, ai kishte refuzuar në mënyrë kategorike ndërhyrjen e supozuar të Kim-it në problemet e brendshme të PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore