Sport

Berat Gjimshiti vazhdon kontratën me Atalanta-n


Futbollisti i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka vazhduar kontratën me klubin e tij, Atalanta-n.

29 vjeçari kishte kontratë me klubin italian deri në vitin 2023, por palët do të vazhdojnë të punojnë së bashku edhe për tri vite të tjera.

Qendërmbrojtësi shqiptar është njëri nga më të mirët në pozitën e tij në Serie A, ku ka shkëlqyer viteve të fundit me klubin nga Bergamo.

Për Gjimshitin pati interesim nga shumë klube të mëdha evropiane, ku njëra prej tyre ishte Inter-i, por Atalanta vendosi ta ‘blindojë’ atë deri në verën e vitit 2026.

 

Për rinovimin e kontratës u shpreh shumë i lumtur Gjimshiti, i cili tha se synon suksese me klubin italian.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam zgjatur kontratën me Atalanta-n. Mezi pres të kem edhe më shumë momente të suksesshme në këtë klub”, ka shkruar Gjimshiti në profilin e tij në Instagram.

Kujtojmë që mbrojtësi kuqezi është pjesë e Atalanta-s që nga janari i vitit 2016, derisa kishte kaluar një sezon si i huazuar te Avellino në Serie B dhe një tjetër te Benevento në Serie A.

Reprezentuesi shqiptar ka zhvilluar 152 ndeshje zyrtare me Atalanta-n ku ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar gjashtë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore