Lajme

Beogradi do rifillim dialogu me Kosovën, por me kushte


Petar Petkoviq, Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Beogradi do të vazhdojë në insistimin e mbajtjes së dialogut me Prishtinën, sepse e sheh si mënyrën e vetme të një zgjidhje paqësore të çështjeve të hapura, porse parakusht do të jetë implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Petkoviq deklarimet e tij i ka bërë me anë të një komunikate për media pas një takimi me ambasadorin e Qipros në Serbi, Dimitrios Tefilaktum, të cilit i ka thënë se “serbët në Kosovë po kanë vështirësi”.

Ai i është referuar edhe disa sulmeve fizike të ndodhura në pjesën Veriore të Mitrovicës – për të cilat ende nuk ka versione zyrtare se nga kush dhe për çfarë motive janë shkaktuar.

Ka përmendur edhe Manastirin e Deçanit, kinse si një monument i rrezikuar.

“Gjithashtu është rritur retorika anti-serbe në Prishtinë dhe thirrjet për bashkimin me Shqipërinë dhe këto paraqesin një kërcënim real”, thuhet në deklaratë.

Nga marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë në dialogun e Brukselit për mos funksionalizimin e tyre pengesë kryesisht ka qenë Serbia – siç është ajo për njohjen e diplomave të të dyja vendeve dhe marrëveshjeve të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore