Shqipëria

Benzi mbetet i preferuari i shqiptarëve, rriten ndjeshëm Hyundai dhe Skoda


Marka e njohur gjermane e prodhimit të automobilave, Mercedez-Benz, ka qenë në 30 vitet e fundit të demokracisë e preferuara e shqiptarëve dhe sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, Instat, kjo markë vijon të mbetet e tillë.

Ndër 740 mijë mjetet e regjistruara në Shqipëri, 29.1% e tyre janë të prodhimit Mercedes-Benz ose Daimler Chrysler (degë e Mercedesit në vitet 1998-2007).

E radhitur në vend të dytë, është kompania Volkswagen për nga numri i automjeteve në Shqipëri, duke zënë 17.5% të mjeteve në përdorim.

Gjigandi amerikan, Ford, radhitet i treti me 9.8% të tregut e më pas ndjekin gjermanët e Opel me 5.3%, Audi me 5.4% dhe japonezët e Toyota me 4.4% të tregut.

Italianët e grupit Fiat, radhiten të shtatit me vetëm 3.9% të tregut, të ndjekur nga BMW me 3.3%, Renault me 2.8%, e për të vijuar më pas me kompani të tjera, të cilat së bashku zënë 18.4% të gjithë tregut.

Pavarësisht këtij raporti, është interesant të shihet në të dhënat e publikuara nga Instat, se si dy marka jo shumë të përdorura më parë në Shqipëri, po zënë vend në treg.

Bëhet fjalë për koreano-jugorët e Hyundai dhe çekët e Skoda.

Të parët, në intervalin e dhjetëvjeçarit kohor 2011-2021, kanë arritur të zënë 6.3% të tregut të automjeteve të shitura apo ardhura përmes pikave doganore.

Skoda nga naa tjetër, ka marrë 4.9% të tregut, duke lënë pas japonezët e Toyota dhe Fiat, të cilët ndajnë shifra vetëm pak mbi 3%.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj, edhe në intervalin e dhjetëvjeçarit të fundit, Mercedes-Benz mbeten automjetet më të shitura, me 21.3% të tregut dhe Volkwagen, me 15.5%.

Mbi llojin e karburantit të përdorur, shumica e mjeteve kanë për lëndë të parë djegëse naftën, përkatësisht 73.6% e tyre. vetëm 17.3% djegin benzinë dhe 8.7% të tjera, janë vetura të cilat operojnë me benzinë dhe gaz.

Mjete hibride apo elektrike, janë më pas se 0.5% e totalit.

Pjesa më e madhe e tyre (62.6%), janë mjete me kambio manuale, kur automatike janë vetëm 36.3%.

Mbi vëllimin motorik, sipas Instat, 67.2% janë nën 2 mijë cc, 30.2% mes 2 mijë dhe 3 mijë cc si edhe 2.6% mbi 3 mijë cc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore