Sport

Bennacer ndërron agjentin vetëm që të qëndrojë te Milan-i


Mesfushori i Milan-it, Ismael Bennacer, raportohet që e ka ndërruar agjentin e tij vetëm që të mbetet ende te kuqezinjtë.

Algjeriani tashmë e ka zgjedhur kushëririn e të famshmit, Mino Raiola-s (tashmë të ndjerë), Enzo-n, ndërkohë që bisedimet për vazhdimin e kontratës me kuqezinjtë janë në vazhdim.

Marrëveshja aktuale e Bennacer me Milan-in në përfundon në qershor 2024 dhe sipas raporteve të shumta në Itali, të dy palët janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke zgjatur kontratën e mesfushorit deri në vitin 2027.

Sipas “Calciomercato”, Bennacer ka hequr dorë nga agjenti i tij i mëparshëm, Moussa Sissoko, i cili po shtynte që ta transferonte algjerianin në ndonjë klub tjetër gjatë verës.

Në kohët e fundit, Bennacer ka pasur paraqitje shumë të mira me Milan-in që ka bërë që shumë klube të mëdha të shfaqin interesim për të, sidomos ato në Angli.

Megjithatë, duket se dëshira e tij është që të qëndrojë për kohë më të gjatë te kampionët e Italisë.

Bennacer kishte zhvilluar bisedime me kuqezinjtë pa Sissoko-n gjatë javëve të fundit dhe Raiola tani është në krye të negociatave me Paolo Maldin-in dhe Ricky Massara-n.

Maldini konfirmoi javën e kaluar se negociatat me 24-vjeçarin mund të vazhdojnë gjatë pushimit të Kupës së Botës, duke qenë se Algjeria nuk është kualifikuar në Katar.

Bennacer aktualisht fiton rreth 1.5 milionë euro në “San Siro” dhe pritet të trefishojë pagën e tij me marrëveshjen e tij të re me kampionët aktual të Italisë.

Daniele Longo i “Calciomercato” gjithashtu lë të kuptohet se Raiola dhe Rafael a Pimenta, i cili mori përsipër agjencinë pasi Mino Raiola vdiq në prill, do të ndahet.

Kujtojmë që Bennacer është pjesë e kuqezinjve që nga vera e vitit 2019, kur u transferua nga Empoli për shumën e 17.2 milionë eurove.

Deri më tani, Bennacer është paraqitur në 126 ndeshje në të gjitha garat me fanellën kuqezi, prej të cilave ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar tetë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore