Lajme

Belgjikë/ Riatdhesim për fëmijët në kampin Al-Hol


Qeveria belge ka kërkuar riatdhesimin e fëmijëve në kampin Al-Hol në Sirinë verilindore.

Masa u njoftua nga kryeministri, Alexander De Croo, i cili tha se nëse të miturit qëndrojnë në kamp ka një rrezik të konsiderueshëm se ata mund të bëhen “terroristët e së nesërmes”.

“Këshilli Kombëtar i Sigurisë konfirmoi dje procesin e riatdhesimit të fëmijëve, kufiri i moshës ishte vendosur deri në 12 vjeç”, i tha De Croo të enjten parlamentit belg.

Eurodeputetja belge Saskia Bricmont, e cila ka bërë presion për kthimin e tyre për vite me radhë, e sheh vendimin për riatdhesimin e fëmijëve si urgjent, kjo për arsye humanitare dhe sigurie.

“Ata po rriten pa ujë të pijshëm, pa ushqim të duhur, me të gjitha pasojat psikologjike, por edhe fizike”, shpjegoi eurorodeputetja.

“Kurdët kanë humbur kontrollin e kampit Al-Hol në veçanti, dhe shumë gra po ri-radikalizohen, duke u kthyer në Daesh dhe për këtë arsye nuk përjashtohet që këta fëmijë evropianë dhe nënat e tyre të bashkohen me Shtetin Islamik (IS)”, shtoi ajo .

Masat e marra

Shteti belg do të vendosë për riatdhesimin e disa prej nënave që janë në kamp, ​​por rastet e tyre do të analizohen, pasi disa janë dënuar tashmë nga gjykatat belge dhe të tjerat janë në shënjestër me urdhër-arresti ndërkombëtar.

Vendimi i qeverisë vjen pas një urdhri të Gjykatës belge në 2019-ën, e cila vendosi që qeveria duhet të marrë mbrapsht dhjetë fëmijë sirianë, të cilët i kanë prindërit anëtarë të IS-it, por me origjinë nga Belgjika.

“Autoritetet duhet t’i ofrojnë asistencë dhe duhet t’i pajisin ata me dokumente brenda gjashtë javëve, në të kundërt ata duhet t’i paguajnë fëmijëve një shumë prej 5 mijë eurosh për çdo ditë vonese”, ishte vendimi i mëhershëm i Gjykatës.

Nuk është hera e parë që gjykata ka detyruar shtetin të riatdhesojë fëmijë nga Siria ku në 2018-ën Belgjika riktheu gjashtë fëmijë dhe dy gra të cilët i ishin bashkuar Shtetit Islamik.

Shërbimi kundër terrorizmit në Belgjikë deklaroi se në këto kampe ndodhen rreth 60 fëmijë me origjinë belge.

Kampi Al-Hol, është krijuar në prill të vitit 2017,  krahas civilëve që u larguan nga konfliktet me organizatën terroriste Daesh (fjala arabe për IS). Aty mbahen disa prej anëtarëve të Daesh-it (Shtetit Islamik) dhe familjarët e tyre që janë dorëzuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore