Shqipëria

Bektashinjtë kremtojnë Sulltan Nevruzin, festën e frymëzuar nga ekuinoksi pranveror


Ka shumë histori mbi prejardhjen e kremtimit të Sulltan Nevruzit dhe fillimet e përcjelljes së datave të shënuara. Origjina megjithatë, mbetet ende e paqartë.

Mendohet gjithsesi se ekuinoksi pranveror është ai që ka sjellë zanafillën e kësaj feste.

Disa argumentojnë se kjo festë është e lidhur me traditën e lashtë iraniane të religjioneve, siç janë Mithraizmi apo Zoroastrianizmi. Çfarë është i sigurt, është fakti se celebrimet datojnë deri në tre mijë vjet më parë.

Kjo, edhe për faktin se pellgu i Gjirit Persik është djep i qytetërimeve ndër më të lashta të historisë.

Mithraizmi kremtonte dritën dhe fuqinë e lindjes së diellit përballë errësirës. Pra, një fitore të dritës mbi çdo të keqe. Zoroastrianizmi, nga ana tjetër, implikonte përtej Mithranizmit, edhe fitores e të mirës mbi të keqen.

Nevruzi, pikërisht këtë ka në thelb. Duke u shënjuar nga dita e parë e pranverës sipas traditës së fesë, prosperiteti dhe fitorja e të mirës janë në vëmendje kryesore të kremtimeve.

Të gjitha teoritë e prejardhjes së Nevruzit në fakt, e implikojnë dritën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo, si një simbolikë e fitores së pastërtisë shpirtërore.

Ku dhe kur festohet Nevruzi?

Përtej globalizmit, festimet e Nevruzit janë kryesisht të përqendruara në Lindjen e Mesme. Zona e Azisë Qendrore, Kaukazi, Kina Veri-Lindore dhe Krimea, të gjitha e festojnë Nevruzin. Grupime të ndryshme në Ballkan gjithashtu.

Pjesë e festimeve është edhe Shqipëria. Komuniteti Bektashi shqiptar e kremton Nevruzin më 22 mars çdo vit. Për ta, kjo ditë është simbolika e ardhjes së pranverës.

Ky komunitet, me rrënjë islame në thelb, daton më shumë se tetë shekuj më parë në Shqipëri. Ardhja e misionarit Sari Salltik në malin e Krujës, shënjoi edhe fillimet e këtij religjioni në vendin e shqiponjave.

Sari Salltiku sot, është kthyer në një vend pelegrinazhi për gjithë bektashinjtë – veçanërisht ata të Krujës dhe vendeve pranë.

Gatimet e ndryshme nuk mungojnë për Nevruz, ku kryesoret janë ëmbëlsirat. Byreku me monedhë apo mishi i pjekur janë gjithashtu pjesë e festimeve familjare.

Në vendet e tjera gjithsesi, Nevruzi festohet në data të ndryshme.

Irani kremton për pesë ditë, nga 20-24 marsi. Më 20 mars fillojnë kremtimet edhe Taxhikistani me Turkmenistanin, për t’i mbyllur ato më 23 mars.

Gjeorgjia, Kirgistani, Kosova dhe Uzbekistani festojnë më 21 mars. Shqipëria ndërkaq, më 22 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore