Lajme

Bekim Haxhiu: Java vendimtare sa i përket çështjes së tërheqjes së mjeteve nga trusti pensional


Bekim Haxhiu, deputet nga Radhët e PDK-së

Nuk e ka ndërmend të heq dorë nga çështja për të kërkuar lejimin e tërheqjes së mjeteve nga trusti.

Kjo kërkesë, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, nuk është vetëm kërkesë e tij dhe e disa deputetëve të caktuar, por e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kështu, Haxhiu tregoi se kjo javë është vendimtare sa i përket kësaj teme, duke u bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin këtë projektligj.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti pensional i Kosovës është kërkesë e qytetarëve dhe bazuar në këtë kërkesë të qytetarëve ne kemi proceduar plotësim ndryshimin e ligjit për fondin e kursimeve pensionale që do t’iu mundësonte qytetarëve tërheqjen e mjeteve deri në 30% nga kursimet e tyre në fondin pensional të kursimeve pensionale të Kosovës. Dhe tash është java vendimtare sa i përket kësaj çështje, votimit të këtij projektligji”, tha ai për EO.

Deputeti Haxhiu ka bërë apel te Kryesia e Kuvendit që ta procedoj këtë projektligj në kuvend ditën e enjte.

“Për shkak që projektligji është neglizhuar dhe prolonguar në komision për buxhet punë dhe transfere. Unë ftoj kryesinë ta procedojë për të enjten dhe pastaj ta shqyrtojmë. Ka edhe një pakënaqësi qytetare dhe po i ftoj deputetët e pushtetit që ta mbështesin këtë projektligj sepse të gjithë kuvendi jemi me votën e qytetarëve dhe të votojmë pro kërkesës së qytetarëve”, tha Haxhiu.

Më 27 maj, Haxhiu ishte kujdesur që projektligjin i cili mundëson tërheqjen e deri 30% të mjeteve nga Trusti t’ua shpërndajë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, kishte deklaruar Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Qeveria vazhdon të jetë kundër.

Tre ditë më vonë, Ministri i Financave, Hekuran Murati ishte deklaruar rreth kërkesës së kësaj kërkese të tërheqjes së trustit.

Përmes një konference për medie, ai kishte thënë se tërheqja e këtyre mjeteve në vitin 2020 kur me vendin qeveriste qeveria Hoti, ky veprim kishte pasur efekt negativ në ekonomi.

“Sa i përket efektit në ekonomi apo financa publike që ka ndodhur për herën e parë në vitin 2020, tërheqjes së parë prej 10%. Efekti i saj do të vërehet në financat publike sepse na e kanë lënë një gropë prej 110 milionë euro për ta paguar rimburësimin”.

“Në vend se me politikat fiskale, me paratë që i mbledhim për buxhet të bëjmë politika të reja për t’i mbështetur qytetarët, për t’i rritur pensionet apo për të rritur mbështetjen për familjet në kushte sociale, ne na duhet që 110 milionë euro me i marrë nga buxhetit për me i rimburësu ata që i kanë tërhequr mjetet në 2020. Këso politike e papërgjegjshme ka qenë atëherë kur ka ndodhur”, kishte thënë Murati.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore