Zgjedhjet në Kosovë

Behgjet Pacolli: Le të fitojë më i miri


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, pa bërë diferencime ka thënë se le të fitojë më i miri.

“Sot votova për të kontribuar për një të ardhme më të mirë për të rinjtë e komunës sime. Le të fitojë më i miri dhe fituesi të punojë në mënyrë kreative, me përkushtim, sinqeritet dhe të jetë kryetar i të gjithëve pa diferencime etnike, sociale dhe ideologjike”, ka shkruar Pacolli.

Në këtë raund të zgjedhjeve lokale, në 21 komuna ku do të zhvillohet balotazhi të drejtë vote kanë gjithsejtë një milion e 260 mijë e 571 votues, apo 624 mijë e 887 votues më pak krahasuar me numrin e votuesve të certifikuar në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor në 38 Komuna të Kosovës.

Në balotazh do të votohet vetëm për kryetarë komune nga lista zgjedhore e cila përmban dy kandidatë.

Për këto zgjedhje janë shtypur më pak fletëvotime. Rreth 10% apo 125 mijë fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i votuesve që u takojnë këtyre 21 komunave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore