Shqipëria

Begaj thotë se reforma në drejtësi ka sjellë zhvillime pozitive në Kushtetuese


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, deklaroi se reforma në drejtësi ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese.

Kjo, e mbështetur fuqimisht nga partnerët evropianë dhe amerikanë.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës ndërkombëtare “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Demokracitë e Reja”, organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

“Gjykata Kushtetuese është një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Që nga 1992, Gjykata Kushtetuese është konfirmuar si një institucion i balancuar dhe i vendosur në rrugëtimin drejt standardeve më të mira”, u shpreh fillimisht Begaj.

Sipas tij, ndryshimet ligjore në këto 30 vite e kanë vënë Gjykatën Kushtetuese para sfidave të ndryshme.

Kjo, duke prekur aspekte të organizimit, kompetencave dhe funksionimit normal.

Kreu i shtetit shtoi se transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësi.

“Pavarësimi dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet, aftësi vetë-rregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cenim, nga asnjë degë e pushtetit”, ravijëzoi në përmbyllje Bajram Begaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore