Shqipëria

Begaj: Të punojmë të dy shtetet, për të mirën e të njëjtit komb


Nuk ka veçse një mesazh madhor në vizitën e parë të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në Kosovë: Të dy shtetet, duhet të punojnë për të mirën e të njëjtit komb.

As më shumë e as më pak, sipas kreut të ri të shtetit shqiptar.

Në një intervistë të dhënë në përmbyllje të vizitës së tij për televizionin RTK, Begaj ka theksuar se bisedimet me udhëheqësit politikë në Kosovë kanë qenë shumë të frytshme dhe po ashtu, faktin se integriteti i Kosovës, është i padiskutueshëm.

“Shqipëria do t’i gjendet Kosovës në krah, pavarësisht çdo rrethane e vështirësie”, theksoi Begaj në përgjigjet e tij, duke përfshirë këtu edhe ndihmë direkte ushtarake nëse e nevojshme, referuar edhe situatave të fundit të tensioneve, të cilat janë krijuar në veri të Kosovës.

Megjithatë, ai e ka ravijëzuar faktin se rruga e duhur, është vetëm ajo e bisedimeve, marrëveshjeve dhe njohjes reciproke.

“Luftën e fituam”, vijoi Begaj, “por tani duhet të ruajmë paqen”.

Ndër të tjera, ai ka treguar se edhe Serbia e di se nuk është e thjeshtë të hysh në luftë apo konflikt, ndaj e cilësoi përpjekjen për paqe jo si ekskluzive të Kosovës, por të të dy palëve.

Mbi nismën rajonale Open Balkan, Begaj theksoi se ajo nismë është e duhur, për sa kohë është një iniciativë për të rritur bashkëpunimin rajonal.

Mirëpo, mes qëndrimeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka ndryshime të mëdha për nismën. Por sërish, gjuha e përbashkët, duhet gjetur në këtë aspekt, edhe pse nga ana tjetër, pjesë e iniciativës është edhe Serbia.

Çështje e ditës ndërkohë për vizitën e Begajt në Kosovë, ka qenë edhe një takim i munguar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Por, mbi këtë episod, Begaj tha se skenari ka qenë edhe më i gjerë.

Kreu i Shtetit, bëri me dije se ekipi i tij, ka dashur që të gjitha forcat politike, t’i mblidhte së bashku. Mirëpo, këtë gjë, ekipi i tij nuk e ka arritur dot.

Ndaj, ka vendosur që edhe t’i takojë më vete krerët politikë, edhe pse me Abdixhikun, takimi nuk u arrit.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore