Shqipëria

Begaj takon Celibashin: Partitë të zbatojnë ligjin, zgjedhjet provë për demokracinë


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur në takim komisionerin shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të diskutuar rreth zgjedhjeve vendore të 14 majit.

“Vura theksin për rëndësinë që kanë këto zgjedhje jo vetëm si mundësi e mirëpritur për të shprehur vullnetin politik, por edhe si provë e rëndësishme maturie për vetë sistemin tonë demokratik”, shkruan Begaj.

Gjithashtu ai bën me dije se është ndalur në domosdoshmërinë që ka zbatimi i Kodit Zgjedhor dhe udhëzimeve të KQZ-së nga të gjitha institucionet qendrore dhe vendore me detyrimin për të mos përdorur veprimtaritë dhe burimet publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre në fushatë.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje publike të gjitha subjekteve të këtij ligji që ta zbatojnë atë me përpikmëri dhe të inkurajoj KQZ-në për një monitorim e zbatim korrekt të tij. Të gjithë shqiptarët dëshirojnë një garë të ndershme dhe të barabartë të kandidatëve në fushatë. Nëpërmjet zbatimit të ligjit ne ua garantojmë këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore