Shqipëria

Begaj pas takimit me Kurtin: Përshëndes maturinë e ekipit negociator të Kosovës për ta pranuar planin evropian


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka përshëndetur maturinë e ekipit negociator të Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

Reagimi i kreut të shtetit erdhi pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Të dy udhëheqësit biseduan mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë”, vëren njoftimi zyrtar për shtyp.

Ndër të tjera, Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij “është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore