Shqipëria

Begaj me homologun polak: Mbështeteni anëtarësimin e Kosovës në NATO


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun polak Andrzej Duda theksoi se ka vlerësuar marrëdhëniet diplomatike shumë të mira midis shteteve.

“I shpreha mirënjohjen presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë COVID-19”.

Ai bëri me dije gjithashtu se janë ndalur te bashkëpunimi ekonomik e tregtar “i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor është larg mundësive të dy vendeve”.

“Vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë. Si dy vende anëtare të NATO-S Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes në nivel strategjik dhe operacional”.

Sipas kreut të shtetit shqiptar, “një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë ku shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë”.

“Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Ndër të tjera, Begaj i ka shprehur “mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor”.

“Kërkova mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha ai.

Nga ana tjetër, Duda tha se nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt.

“Është e para vizitë shtetërore e një Presidenti polak prej 20 vitesh. Është një ngjarje e rëndësishme, shpresojmë që të jetë moment rigjallërimi të marrëdhënieve polako-shqiptare. Fillim i një bashkëpunimi dinamik me Shqipërisë. Shpresojmë që së shpejti Shqipëria të jetë anëtarë e Bashkimit Evropian dhe së shpejti të jemi bashkë në këtë familje të madhe”.

Ai shprehu falënderim për Shqipërinë sa i përket mbështetjen ndaj Ukrainës, “për pozicionin e saj të qartë politik ndaj agresionit rus në Ukrainë”.

“Shqipëria ka pasur vepra konkrete kundër këtij agresioni që cenon të gjitha parimet ndërkombëtare. Ky agresion duhet të mbarojë menjëherë me largimin e forcave ruse nga territori i Ukrainës. Territori i Ukrainës duhet t’i kthehet i plotë Kievit. Kështu duhet të jetë përfundimi i kësaj lufte. Ne ju falënderojmë për praninë ushtarake në krahun lindor të NATO”.

Presidenti polak bëri thirrje për intensifikim të bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera si projektet në infrastrukturë.

“Vetëm 200 milionë është shkëmbimi tregtar mes dy vendeve tona. Ndaj duhet të rrisim shkëmbimet tregtare mes vendeve. I kuptojmë shumë mirë sakrificat e shqiptarëve për të realizuar këto reforma. Shpresoj që efekti i këtyre takimeve do të jenë kontratat e reja, forcimi i mëtejshëm i lidhjeve ekonomike”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore