Shqipëria

Begaj: Kosova respektoi dhe nderoi më së miri zotimin që i bëri botës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës përmes firmëtarëve të pavarësisë.

Lajmi u bë i ditur gjatë aktivitetit të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”, u shpreh fillimisht kreu i shtetit.

Pjesëmarrës në takim ishin ish-presidenti Alfred Moisiu, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skëndër Durmishi, si dhe ministre të kabinetit qeveritar.

“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euro-atlantik”, vijoi Begaj në fjalën e tij.

Sipas tij, Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj.

Për kreun e shtetit, lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme.

“Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta”, shtoi Begaj.

Ai theksoi se Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Ndër të tjera, presidenti garantoi se autoritetet shqiptare do të intensifikojnë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj.

“Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftërave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit”, vuri në dukje Begaj.

Kreu i shtetit e sheh të ardhmen e kombit shqiptar në familjen e madhe evropiane duke marrë shkas nga aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave.

Begaj solli gjithashtu në vëmendje se situata e krijuar së fundi në veri të Kosovës, ishte “një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur”.

“Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjellë dhe respektimi i minoriteteve”, deklaroi presidenti shqiptar.

Në përmbyllje Begaj ravijëzoi se gjatë këtyre 15 viteve, “Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës”.

“Jam plotësisht i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës; rrugëtim i cili do të përmbushë ëndrrën e çdo shqiptari brenda dhe jashtë trojeve tona”, tha Bajram Begaj, presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore