Shqipëria

Begaj dekoron ambasadorin Walker: Falë tij bota u informua për krimet në Kosovë


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekoruar me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”, ambasadorin amerikan William Walker.

Sipas kreut të shtetit ky i fundit është mik i shqiptarëve dhe ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit tonë dhe të vetë NATO-s.

“Ambasadori William Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i cili me punën dhe kontributin e tij krijoi një lidhje të pazgjidhshme me kombin shqiptar dhe me te gjithë qytetarët e Kosovës”.

Begaj ravijëzon se falë veprimeve të ambasadorit dhe angazhimeve të tij e gjithë bota u informua për krimet në Kosovë.

“Vendet e qytetëruara dhe demokratike si edhe komuniteti ndërkombëtar reaguan me shpejtësi për të dënuar gjenocidin në zemër të Evropës dhe për t’i dhënë fund regjimit të Millosheviçit në Kosovë.  Sot populli i Kosovës prosperon në rrugën e demokracisë dhe lirisë por hijet e atyre kohërave të trishta vërtiten akoma në rajonin tonë, në epokën e një lufte tjetër të re e të përgjakshme në Evropë”.

Ndër të tjera, Begaj përmendi botimin e librit nga Walker për Reçakun.

“Jam i sigurt se ky libër do të jetë një kontribut i rëndësishëm dhe i shtuar për arsyet dhe parimet që bota demokratike, SHBA dhe NATO vendosën të ndërhyjnë dhe i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë. Duke e mbyllur, ju uroj juve dhe familjes suaj Ambasador një Vit të Ri të mbarë, të shëndetshëm dhe të begatë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore