Kosova

Bedri Hamza tregon për Albanian Post çka bisedoi me Lajçak-un: Na i prezantoi edhe disa dokumente


“Takim korrekt”, kështu e përshkruan takimin me Emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-serbi, Miroslav Lajçak, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut Bedri Hamza.

Në një prononcim për Albanian post, Hamza tha se me Lajçak biseduan “për situatën e përgjithshme, me me specifika të përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës, zhvillimet aktuale, çështjen e dialogut dhe normalisht edhe për çështjen e lirisë së lëvizjeve të qytetarëve të të gjitha komuniteteve në të dy pjesët e qytetit të Mitrovicës”.

Për rihapjen e urës mbi lumin Ibër, e cila lidhë qytetin e Mitrovicës në Jug dhe Veri, Hamza tha se ishte kërkesë e drejtuar tek Lajçak për të ushtruar ndikimi e tij që kjo nismë të përfundojë pozitivisht.

“Kërkesa ime ishte që të bëjnë ndikimin e vet pozitiv që ura mbi lumin Ibër të jetë në shërbim të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dy pjesëve të Mitrovicës, pa dallim. Kushdo që ka nevojë të ketë mundësi ta shftytëzojë”, tha Hamza për Albanian post.

Dhe si përgjigje për këtë kërkesë, Hamza thotë se mori bekimin e Lajçakut.

“Ai e mori në konsideratë, do të bëjë përpjekjen e vet për të kontribuar në këtë drejtim dhe po presim të shohim. Ata janë të interesuar që të ketë progres në këtë proces, të ruhet qetësia, paqja dhe stabiliteti dhe të lëvizet me progres”, tha Hamza.

Ndër të tjera në këtë takim u bisedua edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Hamza deklaroi për AP se Lajçak i ka prezantuar disa dokumente, të cilat prodhojnë takime në ditët në vijim, për propozime të reja.

“Ai ka prezantuar disa dokumente, tash do të ketë disa takime në ditët në vijim dhe sigurisht që do të ketë edhe propozime të tjera”.

Hamza tha se u kujdes që Emisarin Lajçak ta njoftoj me të gjitha temat të cilat kanë në interes progresin, zhvillimin e Kosovës, ruajtjen e  paqes dhe stabilitetit dhe zbatimin e ligjit.

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Diplomati sllovak ka bërë të ditur se në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili ka zgjatur gati dy orë, është diskutuar për hapat e mëtutjeshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Erdha në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimin për rrugën përpara për normalizimin e raporteve, pas takimit të 2 majit. Kemi pasur një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet, të njëjtat diskutime do ti kem edhe nesër në Beograd”.

I pyetur për sa i përket mospajtimit që Kosova dhe Serbia kanë mbi draft-statutin e Asociacionit të propozuar më 2 maj në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, diplomati sllovak ka theksuar se detyra e BE-së si ndërmjetëse e procesit është të gjej mesin e dy modeleve – modeli i parë i paraqitur nga Ekipi Menaxhues që kryesohej nga deputetja e Partisë Përparimtare Serbe, Danijela Vujiçiç dhe modeli i dytë i paraqitur nga kryeministri Kurti, model i cili tenton të replikojë asociacionin e serbëve në Kroaci.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë rrugën e mesme dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë”, ka deklaruar Lajçak.

Lajçak kur është pyetur për qëndrimin e Unionit mbi modelin kroat të cilën e propozoi Kurti në takimin 2 majit, nëse mund të funksionojë edhe në Kosovë, tha se BE-ja pranon atë që është në pajtim me vlerat evropiane.

“Për BE-në e pranueshme është ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së, dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”.

Ai ka bërë të ditur se takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 15 majit në nivel të kryenegociatorëve.

“Do të takoj të hënën kryenegociatorin e palës kosovare Bislimin dhe kryenegociatorin e palës serbe, Petkoviç’in në Bruksel. Kemi marrëveshjen kemi ankesin dhe duhet të kemi mirëkuptim të qartë për hapin 1, hapin 2, hapin 3”, tha Lajçak para gazetarëve”, ka thënë Lajçak përpara gazetarëve pas takimit.

Çfarë raportoi Albanian Post?

Albanian Post, një ditë më parë ka siguruar një dokument ekskluziv, i shkruar nga një diplomat i lartë ndërkombëtar i pozicionuar thellë brenda procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku bëhet ditur se Asociacioni nuk do të jetë as çfarë kërkon Serbia dhe as çfarë është në gjendje të ofrojë Kosova, por një përzierje e “një forumi për bashkëpunim ndërkomunal, një organ për të mbrojtur interesat e komunitetit serb të Kosovës dhe një autoritet administrativ me detyra të kufizuara dhe të rregulluara ligjërisht”.

Dokumenti është një koment i detajuar mbi Statutin e Asociacionit të propozuar nga Ekipi Menaxhues si dhe mbi hapat e mëtejmë të procesit rreth themelimit të Asociacionit dhe prezanton pikëpamjen e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për atë se çfarë do të jetë Asociacioni.

“Siç është hartuar, Statuti i propozuar bie ndesh me marrëveshjet e 2013 dhe 2015 dhe frymën e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në dokumentin që është i përbërë nga gjithsejtë 7 pika.

Sipas këtij dokumenti trefaqësh, “Asociacioni/Bashkësia është më shumë se thjesht një forum komunal koordinimi dhe bashkëpunimi” ndryshe nga sa e portretizon qeveria në Kosovë, por gjithashtu ai nuk formon një shtresë të tretë pushteti, siç i pëlqen qeverisë në Serbi.

“I pëlqen apo jo Prishtinës, sipas Ligjit Nr: 04/L-199 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë (…), Asociacioni/Bashkësia ka një identitet të dallueshëm juridik”, shpalos dokumenti, duke sqaruar se po të ishte ndryshe “Ligjet e Kosovës për vetëqeverisjen lokale dhe bashkëpunimin komunal ofrojnë një kornizë gjithëpërfshirëse për bashkëpunim ndërkomunal” dhe “sipas ligjeve ekzistuese të Kosovës, komunave nuk u nevojitet ndonjë miratim apo dekret paraprak për të krijuar një organizatë thjesht për koordinim dhe bashkëpunim brenda fushëveprimit të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre ekzistuese”.

Rrjedhimisht, duhet të pranohet se “Asociacioni/Bashkësia është LEPL (Person Juridik i së Drejtës Publike)”, por që “Sipas marrëveshjes së vitit 2015, pika 1, baza e vetme ligjore për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë është Ligji Nr: 04/L-199 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 27 qershor 2013”.

Kështu që “i pëlqen apo jo Beogradit, sipas marrëveshjes së vitit 2013, Asociacioni/Bashkësia është një LEPL i veçantë dhe nuk është një shtresë e re e qeverisjes”, thuhet në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga Albanian Post.

Megjithatë, edhe pse jo shtresë e tretë, dokumenti qartëson se LEPL, apo Personi Juridik i së Drejtës Publike “është një organizatë e ndarë nga organet legjislative dhe qeveritare, e krijuar sipas ligjit përkatës ose aktit të qeverisë të bazuar në ligj, e cila kryen në mënyrë të pavarur detyrat dhe kompetencat e përcaktuara me ligj”.

“Pika 4 e marrëveshjes së vitit 2013 i referohet Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale. Fjala kyçe këtu është ‘vetëqeverisja lokale’. Neni 4 i Kartës (Fushëveprimi i vetëqeverisjes lokale) e dallon autoritetin lokal nga pushteti rajonal ose qendror”, specifikon dokumenti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore