Lajme

BE u jep dritën jeshile kompanive për të ruajtur rrjedhjen e gazit rus


Bashkimi Evropian (BE) zbuti qëndrimet e tij në lidhje me bllokimin e furnizimeve me energji nga Moska, duke njoftuar se kompanitë mund të vazhdojnë të blejnë gazin rus pa shkelur sanksionet.

Komisioni Evropian u dërgoi udhëzimet e tij të rishikuara vendeve anëtare të premten. Në rekomandimet e përditësuara, thuhet se kompanitë duhet të bëjnë një deklaratë të qartë se i konsiderojnë detyrimet e tyre të përmbushura pasi të paguajnë në euro ose dollarë.

Sanksionet e BE-së “nuk i pengojnë operatorët ekonomikë që të hapin një llogari bankare në një bankë të caktuar për pagesat që duhen paguar sipas kontratave për furnizimin e gazit natyror, në monedhën e specifikuar në ato kontrata”, tha komisioni.

“Operatorët duhet të bëjnë një deklaratë të qartë se synojnë të përmbushin detyrimet e tyre, sipas kontratave ekzistuese dhe të marrin parasysh detyrimet e tyre kontraktuale në lidhje me pagesën e përmbushur tashmë duke paguar në euro ose dollarë, në përputhje me kontratat ekzistuese”.

Udhëzimi nuk i pengon kompanitë të hapin një llogari në Gazprombank dhe do t’i lejojë ato të blejnë gaz në përputhje me sanksionet e BE-së pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Por, udhëzimi nuk adreson kërkesën e Moskës për të hapur një llogari të dytë në rubla, e cila sipas një dekreti të presidentit rus Vladimir Putin është e nevojshme për të kryer pagesën e plotë.

Çmimet evropiane të gazit rritën humbjet të hënën

Kompanitë evropiane kanë filluar të ecin përpara për të përmbushur kërkesat ruse dhe për të mbajtur rrjedhjen e gazit.

Gjiganti italian i energjisë “Eni SpA” do të hapë llogari në rubla dhe euro me Gazprombank deri të mërkurën, në mënyrë që të mund të kryejë pagesat në kohë këtë muaj dhe të shmangë çdo rrezik për furnizimet me gaz, sipas njerëzve të njohur me situatën.

Kompania po priste që ato udhëzime të publikoheshin zyrtarisht përpara se të vepronte.

Gjiganti gjerman Uniper SE dhe OMV AG e Austrisë kanë thënë gjithashtu se presin që blerjet e gazit të vazhdojnë.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, shprehu optimizëm të hënën se kompanitë gjermane të shërbimeve do të jenë në gjendje të bëjnë pagesat e tyre të ardhshme të gazit në Moskë, pavarësisht regjimit të sanksioneve dhe rregullave të reja të Moskës.

Nga ana tjetër, kryeministri polak Mateusz Morawiecki kritikoi BE-në për zbutjen e qëndrimit të saj ndaj pagesave me rubla.

“Jam i zhgënjyer kur shoh se në Bashkimin Evropian ka pëlqim për të paguar gazin në rubla”, tha ai të dielën.

Polonia do t’u përmbahet rregullave dhe nuk do t’u nënshtrohet shantazheve të Putinit.

Rusia ndaloi flukset e gazit në Poloninë fqinje në fund të prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore