Shqipëria

“BE për Bashkitë”, Soreca: Hapet thirrja për të marrë financime nga Evropa


“’EU4Muncipalities’ – ‘BE për Bashkitë’ – është programi i parë i Bashkimit Evropian që është hapur për 61 bashkitë në Shqipëri për të marrë financim të drejtpërdrejtë nga Evropa”.

Lajmi u bë i ditur nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter të hënën e 13 dhjetorit.

Më tej, Soreca ka bërë të ditur se tashmë thirrja e parë është zyrtarisht e hapur për të gjitha bashkitë e vendit.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të modernizuar infrastrukturat lokale dhe për të përmirësuar cilësinë dhe aksesin në shërbimet lokale për qytetarët e Shqipërisë”, shkruan Soreca.

Në përfundim, ambasadori ka dhënë mesazhin se ky program, “mbështet rehabilitimin dhe zhvillimin socio-ekonomik të bashkive, duke i afruar ato me standardet evropiane”.

Përmes kësaj thirrjeje, “BE për Bashkitë” do të nxisë zbatimin e planeve dhe objektivave strategjike dhe zhvillimore të bashkive dhe do të forcojë kapacitetet e tyre për menaxhimin e  fondeve të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore