Kosova

BE ndan 14.2 miliardë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë


Parlamenti Europian ka miratuar Rregulloren për Themelimin e IPA-së III (Instrument i Para-Anëtarësimit 2021-2027) nga e cila vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia do të kenë në dispozicion 14,2 miliardë si ndihmë për reformat që duhet të bëjnë këto vende për t’u përgatitur për të hyrë në Bashkimin Europian.

Këto fonde do të mbështesin implementimin e reformave në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Turqi për periudhën 2021-2027.

“Qëllimi kryesor i IPA III është që të ndihmojë këto vende në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, juridike, administrative, sociale dhe ekonomike të kërkuara për të qenë në përputhje me vlerat e Unionit dhe për t’u përshtatur në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së”, thuhet në një njoftim të Parlamentit Europian.

Po ashtu, Parlamenti Europian ka thënë se ky fond mund të ndryshojë apo të suspendohet nëse s’ka respekt mbi vlerat “fundamentale” të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit.

“Si rezultat, pranimi i këtyre fondeve nga IPA do të bëhet i kushtëzueshëm ndaj një vendi që s’i respekton këto vlera”.

Instrument i Para-Anëtarësimit (IPA)

Nëse udhëtoni mbrapa në kohë në vitin 2007, kur u lansua Instrumenti i Asistencës Para-Anëtarësimit (IPA), Kosova ishte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara (KB). Ndihma e ofruar nën IPA synonte, ndër të tjera, të mbështesë “zgjidhjen e statusit” dhe “tranzicionin drejt një shoqërie të multi-etnike”.

Sot kur reflektojmë për kohën që lamë pas, mund konkludohet që Kosova ka bërë një progres të konsiderueshëm. Sot, është një vend i pavarur, me institucione të zgjedhura në mënyrë demokratike, ekonomi të lirë të tregut dhe shoqëri multi-etnike.

Anëtarësimi në BE është prioritet strategjik i Kosovës. Në këtë kontekst, mbështetja financiare e Bashkimit Evropian (BE) përmes IPA-së ka luajtur një rol kyç në avancimin e Kosovës.

Sidoqoftë, në fillimin e dekadës së re, Kosova përballet me sfida të reja. Ajo nuk njihet nga pesë vende të BE-së, por kjo e ka vendosur Kosovën në një situatë “sui generis”.

Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me BE-në, por ajo nuk arriti të ofroj zotimin e qartë për anëtarësim eventual në BE. Përkundër kësaj, BE vazhdon të mbështesë perspektivën Evropiane të Kosovës. Që nga viti 1999, BE ka mbështetur Kosovën me afro 3 miliardë euro.

Në kuadër të instrumentit të ri financiar IPA III për 2021-2027, BE do të vazhdojë të mbështesë agjendën Evropiane të Kosovës. Në këtë kontekst, korniza e re shumëvjeçare financiare e BE-së do të ketë një rëndësi të veçantë.

Shtatë vitet e ardhshme duhet të sjellin qartësi politike në aspiratën e anëtarësimit të Kosovës në BE. IPA III do të luajë rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës gjatë periudhës 2021-2027.

Fokusi i IPA III

Me 2 maj 2018, Komisioni Evropian propozoi MFF (Korniza Shumëvjeçare Financiare) 2021-2027. Propozimi përbënë një buxhet modern, afatgjatë dhe gjithëpërfshirës, në shërbim të axhendës progresive të dakorduar nga liderët në Romë dhe Sibiu.

MFF është instrument kyç për të mbështetur Axhendën Strategjike të Këshillit Evropian dhe Udhëzimet Politike të Presidentes së Komisionit, znj. Ursula von der Leyen, mbi bazën e së cilës Parlamenti Evropian e zgjodhi atë.

Paralelisht, Komisioni ka bërë progres drejt detajizimit të MFF-së së ardhshme me propozimet ligjore për 37 programet që do të zbatojnë prioritetet politike të BE-së.

Ndërsa institucionet e BE-së po ecin me shpejtësi të plotë përpara në përgatitjet e tyre për kornizën financiare 2021-2027, Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë. Është

koha që Kosova të fillojë përgatitjet për IPA III. Kjo do të sigurojë që Kosova mund të angazhohet në dialog “holistik dhe empirik” me Komisionin për përdorimin e IPA III.

IPA III do të ketë pesë objektiva kryesore, sundimi i ligjit, demokracia dhe të drejtat themelore; qeverisje e mirë; politikat e Unionit dhe acquis;  zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale; dhe bashkëpunim territorial dhe ndërkufitar.

Progresi do të matet përmes dhjetë treguesve të performancës. Risitë e IPA III frymëzohen nga parimi ‘më shumë për më shumë’.

Risitë e IPA III përmblidhen përgjatë katër parimeve: më strategjik; më i fokusuar; më shumë investime; dhe më shumë ndikim.

Rsia më e rëndësishme e IPA III është që ndarjet financiare nuk do të bëhen më mbi bazën e alokimeve kombëtare, por mbi parimin e performancës.

Duke njohur rëndësinë e Agjendes së Gjelbër Evropiane është e rëndësishme të nëvizohet qëllimi i Komisionit për të alokuar 16% të buxhetit të IPA III për qëllime të ndryshimeve klimatike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore