Lajme

BE kërcënon Rusinë me sanksione


Bashkimi Evropian (BE) do ndërmarrë masa dhe sanksione ndaj Rusisë nëse kreut të opozitës, Alexei Navalny, nuk i hiqet dënimi i vendosur nga Gjykata e Moskës, me dy vite e tetë muaj burgim.

Delegacioni i BE-së pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ka lëshuar një deklaratë për shtyp, ku rithekson faktin se po shihet mundësia e veprimeve të mëtejshme ndaj Kremlinit.

Deklarata përcakton se autoritetet moskovitë kanë shkelur të drejtat e njeriut. Cilësohet gjithashtu se arrestimi i Navalny-t, sipas BE-së, është i jashtëligjshëm.

“Gjykata Evropiane e të Drejtave të njeriut e ka përcaktuar tashmë, që në vitin 2017, se dënimi i Navalny-t është arbitrar dhe i paarsyeshëm”.

Ka pasur gjithashtu thirrje të shpeshta ndaj Rusisë për të zbatuar detyrimet e saj. Respektimi i lirive të individit mbetet parësor për BE-në. Shqetësim është ngritur edhe për gazetarët, të cilët janë dhunuar apo arrestuar gjatë protestave në gjithë Rusinë.

Mijëra qytetarë janë arrestuar gjithashtu. Fillimisht, gjatë dy të dielave të 24 dhe 31 janarit dhe më pas në 2 shkurt, përpara Gjykatës së Moskës, kur Navalny-t iu dha vendimi për burgim. Në tërësi, rreth 12 mijë rusë janë arrestuar në vazhdën e tre protestave të ndodhura.

Deklarata e përbashkët e vendeve të BE-së, cilëson lirimin e Navalny-t dhe të qytetarëve si kusht të pa negociueshëm për tërheqjen nga kërcënimet mbi sanksionimet.

Opozitari rus, ka qenë në qendër të vëmendjes botërore që pas kthimit të tij në Rusi, në 17 janar. Bashkësia ndërkombëtare dënoi menjëherë arrestimin fillestar të tij.

Në një proces të përshpejtuar, vetëm dy javë pas arrestimit, Navalny u paraqit përpara Gjykatës së Moskës. Ai mori dënimin me dy vite e tetë muaj, për mos respektim të detyrimit të paraqitjes. Protesta të tjera janë paralajmërua në Rusi. Pakënaqësia ndaj presidentit, Vladimir Putin, ka arritur shifra ndër më të lartat këto vite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore