Lajme

BE, paketë ndihme refugjatëve sirianë


Bashkimi Evropian ka adaptuar një fond mbështetjeje prej 130 milionë eurosh, si ndihmë ndaj emigrantëve sirianë dhe komuniteteve vendore në Jordani dhe Liban.

Ky vendim është marrë për shkak të gjendjes së vështirë në vende kyçe të dy shteteve në Lindjen e Mesme. Pjesë e fondeve do të shkojnë për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor dhe menaxhimin e mbetjeve.

Për sa i përket Libanit, fondet do të shërbejnë gjithashtu për të lehtësuar pasojat që la shpërthimi i madh në portin e Beirutit.

Përfaqësuesi i lartë mbi Çështjet e Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se “15 marsi, fatkeqësisht, shënon 10-vjetorin e krizës siriane”. “Një përvjetor tragjik, i cili më mirë të mos ishte”.

“Konflikti në vazhdim, pandemia e Covid-19 dhe përkeqësimet ekonomike të rajonit kanë përkeqësuar kushtet e jetës. BE-ja do të mbajë Konferencën e pestë të Brukselit për të mbështetur të ardhmen e Sirisë dhe rajonit”.

Komisioneri për Zgjerim i Këshillit të Evropës, Oliver Varhelyi, e cilëson këtë paketë si “konfirmim të solidaritetit evropian ndaj qytetarëve të Sirisë”. “Jemi të vendosur të mbështesim rikuperimin afatgjatë të rajonit”, shkruan ai në Twitter.

Nga paketa, 98 milionë euro do të shkojnë për Libanin dhe 32 të mbeturat për Jordaninë.

Pjesa më e madhe e ndihmës ndaj Libanit do të jetë për mbështetje dhe asistencë sociale. 45 milionë euro shkojnë për këtë sektor.

Për Jordaninë ndërkohë, vëmendja më e madhe do të jetë në mirëmenaxhimin e mbetjeve. 17 milionë euro do të shkojnë për këtë projekt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore