Shqipëria

BE-ja zbulon agjendën e plotë të Samitit të 6 dhjetorit në Tiranë


Këshilli i Bashkimit Evropian ka publikuar në faqen e saj zyrtare agjendën e plotë (përfshirë tematikat) të samitit të 6 dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të organizohet në Tiranë.

Sipas institucionit evropian, samiti do të jetë një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së.

Katër do të jenë temat kryesore të diskutimit: Pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja; sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Mbërritja dhe mirëpritja zyrtare, referuar Këshillit të BE-së, do të bëhet në orën 10:15.

Rreth orës 11:00 është parashikuar një hapësirë e quajtur “shkëmbim pikëpamjesh”.

Në orën 12:15 do të ketë një seancë plenare dhe drekë pune.

Më pas, samiti do të përmbyllet në orën 14:30 me një konferencë për shtyp.

Çfarë dihet deri tani?

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka theksoi se mbajtja e samitit në Tiranë, flet për ndryshime madhore gjeopolitike të BE-së.

“Pritshmëritë për samitin janë të dyfishta. Së pari, riafirmimi i një angazhimi të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimi i hapave pozitivë në të gjitha proceset përkatëse të integrimit evropian të vendeve të rajonit”.

Sipas Xhaçkës pritet forcimi i bashkëpunimit midis dy rajoneve në fusha si siguria dhe politika e jashtme.

Kujtojmë që, 6 dhjetori do të jetë ditë pushimi zyrtar.

Kështu ka vendosur qeveria shqiptare, për shkak të masave të sigurisë që janë marrë për ditën kur do të zhvillohet samiti.

Mbrëmjen e 25 nëntorit, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Tiranës njoftoi se në bazë të hapave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sigurt të samitit, nuk mund të kishte një tubim përballë Kryeministrisë.

Kjo, si pjesë e vendosjes së një perimetri sigurie dhe bllokimi të akseve rrugore në atë zonë.

Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, samiti i 6 dhjetorit, është një mesazh i qartë kundër Vladimir Putin-it, Alexander Vuçiç-it dhe Edi Ramës.

Sipas tij, bashkësia evropiane po i tregon Moskës se Shqipëria, është territor i vendeve perëndimore dhe shtetet e tjera, nuk mund të kenë ambicie gjeostrategjike.

Ndërsa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Samiti i 6 dhjetorit e kthen Tiranën në kryeqendër evropiane.

”Ky samit e kthen Tiranën në kryeqendrën evropiane. E unë dua sa më shumë marrëdhënie të mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”. Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të takimit mbi 1 mijë e 500 forca të rendit do të jenë në terren për të garantuar sigurinë e samitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore