Lajme

BE-ja reagoi ashpër ndaj ekzekutimit të dy protestuesve në Iran


Bashkimi Evropian shprehu zemërim për ekzekutimin në Iran të protestuesve Mohammad Mehdi Karami dhe Seyed Mohammad Hosseini, të cilët u arrestuan dhe u dënuan me vdekje në lidhje me demonstratat antiqeveritare.

Kështu shkruhet në deklaratën e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell.

“Bashkimi Evropian u bën thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë të ndalojnë praktikën e dhënies dhe ekzekutimit të dënimeve me vdekje kundër protestuesve, gjë që dënohet ashpër”, theksoi Borrell, duke i quajtur ekzekutimet “një shenjë tjetër e shtypjes brutale nga autoritetet iraniane të demonstratave të qytetarëve”.

BE-ja gjithashtu i bëri thirrje Iranit të revokojë dënimet me vdekje të dhëna tashmë dhe të sigurojë një proces të rregullt ligjor për të gjithë të arrestuarit.

“Dënimi me vdekje është një dënim mizor dhe çnjerëzor që nuk vepron si pengues ndaj krimit dhe është një mohim i papranueshëm i dinjitetit njerëzor dhe i paprekshmërisë. Përveç kësaj, është një dënim përfundimtar që i bën gabimet e mundshme gjyqësore të pakthyeshme”, shtoi Borrell.

Më herët, u bë e ditur se dy burra – Mohammad Mehdi Karami dhe Seyed Mohammad Hosseini – u varën në Iran për vrasjen e dyshuar të një punonjësi të forcave të sigurisë iraniane Basij gjatë protestave antiqeveritare që kanë vazhduar në vend që nga shtatori.

Në total, deri më tani, në Iran njihen katër ekzekutime publike të protestuesve antiqeveritar.

Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” thotë se të paktën 26 iranianë të tjerë përballen me dënimin me vdekje dhe se rrëfimet po bëhen nën tortura.

Protestat në Iran, kujtojmë, shpërthyen më 16 shtator për shkak të vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u ndalua nga policia morale për dyshimin se mbante hixhabin në mënyrë të gabuar.

Të paktën dhjetëra njerëz, përfshirë vajza të mitura, vdiqën gjatë muajit të protestave. Disa organizata të të drejtave të njeriut kanë numëruar tashmë qindra të vdekur.

Grupi për të drejtat e njeriut HRANA tha se deri të premten, 517 protestues, duke përfshirë 70 të mitur, si dhe 68 forca të sigurisë, ishin vrarë në trazira.

Përveç kësaj, 19 mijë e 262 protestues u arrestuan. Autoritetet iraniane pretenduan se deri në 300 njerëz, përfshirë forcat e sigurisë, kishin vdekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore