Shqipëria

BE-ja, projekt kundër krimit të organizuar në Shqipëri


Bashkimi Evropian do të financojë një projekt për të ndihmuar luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. “Lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri nëpërmjet hetimit kriminal dhe financiar”, do të jetë emërtimi i projektit.

Ky plan i BE-së do të implementohet nga Fondi Ndërkombëtar dhe Ibero-Amerikan i Administrimit dhe Politikave Publike (FIIAPP).

Projekti do të ndihmojë kryesisht në forcimin e agjencive ligj zbatuese. Zyrat e prokurorëve do të jenë gjithashtu të përfshira.

Ndihmëse në këtë program do të jenë qeveritë e Spanjës, Italisë dhe Holandës.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë një ndër kushtet kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Pikërisht për këtë arsye, u ngrit edhe Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPANK). Ky i fundit operon prej më shumë se një viti tashmë dhe ka marrë përgëzime nga ambasadorët e huaj në Shqipëri.

Një prej mbështetëseve kryesore të punës së SPAK-ut, është edhe Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Kjo e fundit bëri bujë kur theksoi se me krijimin e prokurorisë së veçantë, peshqit e mëdhenj do të binin në rrjetën e drejtësisë.

Që prej asaj dite, SPAK-u ka hetuar disa dosje të rëndësishme. Ndër to, më e famshmja, ajo e fisit Avdylaj. 17 anëtarë të saj u dënuan me 124 vite burgim.

Vetë BE-ja ka mbetur e kënaqur nga puna e Shqipërisë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi e cilësoi si të përmbushur kushtin e vendosur për çeljen e negociatave.

Në fakt, edhe gjatë takimit që kryeministri Edi Rama pati në Bruksel me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, përparimi i qeverisë shqiptare në këtë luftë ishte i lëvdueshëm.

Me programin e ri tashmë, pritet një rritje e vigjilencës shtetërore në luftën ndaj krimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore