Lajme

BE-ja për takimin Kurti –Vuçiç: Do bisedohet për targat dhe kthimin e serbëve në institucione


Zyra për media e Bashkimit Evropian përmes një njoftimi për media e ka konfirmuar takimin urgjent mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që pritet të zhvillohet më 21 nëntor në Bruksel.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, takimi do të udhëhiqet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, i mbështetur nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

“Përfaqësuesi i lartë do të ketë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët”.

Ndryshe, të premten e 11 nëntorit, Borrell ka biseduar me Kurtin dhe Vuçiç’in në takime të ndara në margjinat e Forumit të Paqes në Paris.

Qëllimi i takimeve ishte adresimi i sfidave kritike në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Diskutimet u fokusuan në ndihmën e palëve për të gjetur zgjidhjet e nevojshme urgjente për krizën aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Shefi i diplomacisë evropian, Josep Borrell, kishte thënë në një konferencë për media se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” duke e konsideruar situatën aktuale të krijuar për targat si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

Ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se gjobitja për pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale do të fillojë nga data 22 nëntor, derisa sipas vendimit të Qeverisë planifikohej që nga 21 nëntori, pronarët që kanë akoma makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga 22 nëntor deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore