Lajme

BE-ja nuk konsideron që Serbia ka shkelur marrëveshjen për targat, siç deklaroi Sveçla


Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen nga secili veprim që mund të qojë në destabilizimin e situatës, kurse për sqarimet rreth interpretimeve për marrëveshjen për targat të dyja palët sipas BE-së, duhet ta adresojnë këtë çështje në kuadër të dialogut.

Edhe pse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se Serbia e ka shkelur marrëveshjen për targat, e cila ishte arritur në Bruskel në muajin nëntor të vitit 2022, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano, Serbia nuk i ka rinovuar targat KM.

“Ne gjithashtu kemi marrë parasysh vendimin e Serbisë, më 6 dhjetor 2022, që letrat ngjitëse të regjistrimit për targat KM nuk do të rinovohen. Ne kuptojmë se rinovimi i sigurimit dhe kontrolli teknik ka të bëjë me automjetin e jo me tabelat e regjistrimit, dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet rinovim i tabelave të regjistrimit“, ka thënë Stano, raporton Radio Evropa e Lirë.

Tutje, zëdhënësi i BE-së, ka deklaruar se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

“BE kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet dhe aranzhimet e arritura më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova edhe Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre“.

“Por gjithsesi, ne i ftojmë të gjitha palët që të respektojnë marrëveshjen dhe të fokusohen në normalizimin e raporteve, sipas propozimit të BE-së, dhe çfarëdo pyetje rreth interpretimeve të asaj se çfarë është rënë dakord më 23 nëntor, të diskutohet përmes dialogut, e jo përmes veprimeve të pakoordinuara në terren, që mund ta destabilizojnë situatën edhe ashtu fragjile“.

Ai sërish e ka komentuar marrëveshjen e arritur në nëntor, për të cilën ka theksuar se Serbia nuk do të lejohet të lëshojë targa të reja KM.

“Kjo do të thotë që Kosova të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj atyre pronarëve që kanë targat KM dhe efektivisht të mbajë staus-quon derisa të mos arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja KM”.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat kufitare, prandaj sipas tij “Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”.

Ndërsa tha se, “Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Të dyja marrëveshjet do të jenë në fuqi derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin franko-gjerman.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore