Lajme

BE, me shumë gjasë nuk do të marrë vaksinat AstraZeneca dhe Johnson & Johnson


Bashkimi Evropian (BE) “me shumë gjasë” nuk do t’i rinovojë kontratat për vaksinat me kompanitë AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Ndërkohë unioni po u jep përparësi llojeve të tjera të vaksinave.

Lajmin u bë i ditur nga agjencia mediatike Bloomber, e cila citonte Agnes Pannier-Runacher, ministrin francez të Industrisë.

Komentet erdhën pas njoftimit të Komisionit Evropian se janë në bisedime me kompaninë farmaceutike Pfizer dhe BioNTech për të marrë deri në 1.8 miliardë doza vaksinash, deri në vitin 2023.

Doza e Pfizer-it është një vaksinë me mARN dhe Komisioni ka rënë dakord  se do të përqendrohet në këtë teknologji për krijimin e saj. Vaksinat J&J ashtu edhe nga AstraZeneca, ndryshe nga Pfizer, përdorin një adenovirus për të krijuar imunitet.

“Vendimi nuk është marrë akoma, por unë mund t’ju them se ne nuk kemi filluar diskutime me AstraZeneca-n apo Johnson & Johnson për një kontratë tjetër. Ne tashmë kemi filluar diskutimet në lidhje me kontratat me BioNTech, Pfizer dhe Moderna”, ka thënë ministri francez.

Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja do të përqendrohet në teknologjitë që kanë “provuar se janë të vlefshme”, siç janë dozat e mRNA.

Pfizer ka planifikuar të përshpejtojë shpërndarjet e vaksinave në bllok këtë tremujor.

Von der Leyen tha se kompania është një “partner i besueshëm” dhe “ka përmbushur zotimet e saj”.

Kjo bie ndesh me vështirësitë që BE-ja ka me AstraZeneca-n, pasi kompania shkurtoi objektivat e shpërndarjes.

Vaksina e J&J është lënë në pritje nga BE-ja ndërsa autoritetet shëndetësore shqyrtojnë një lidhje të mundshme midis mpiksjeve të rralla të gjakut dhe vaksinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore