Bota

BE-ja me program ekonomik për vendet e dëmtuara nga pandemia


Ursula von der Leyen, Presidente e Komisioni Evropian

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të ndihmohen nëpërmjet mekanizmit të përkohshëm të mbështetjes për zbutjen e papunësisë, riskut dhe krizës (SURE). Presidentja e Komision Evropian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur në Twitter skemën e ndihmave për disa shtete.

Belgjika do të marrë këstin e dytë prej 2 miliardë euro-sh. Kjo shumë, do të jetë në formën e borxhit nëpërmjet mekanizmit. Mbrojtja e vendeve të punës dhe cilësia e jetesës do të jetë parësore për këtë skemë.

Polonia ndërkohë, ka përftuar 4.3 miliardë euro nga SURE. Sipas presidentes, pjesa më e madhe e këtij kësti është emetuar në ekonominë polake. Shtatë miliardë të tjera pritet të jepen nga fondi në ditët në vijim.

Fqinjët italianë janë ndihmuar me 4.45 miliardë euro. Shuma totale që do të përftojë nga SURE, do të jetë 27.4 miliardë euro. Italia është një nga vendet e goditura më fuqishëm në Evropë nga pandemia.

Spanja deri në këtë çast ka marrë 1 miliard euro. Pavarësisht se në tërësi shteti iberik do të përfitojë 21 miliardë, mekanizmi është më i ngadaltë atje. Arsyet nuk bëhen të ditura.

Greqisë i janë akorduar 728 milionë euro. Huaja do të shkojë për të financuar sistemin e punës me kohë të pjesshme dhe punonjësit. Në tërësi, janë 2.7 miliardë euro të përftuara nga Greqia.

Ndër shtetet e përmendura nga von der Leyen, janë edhe Hungaria, Sllovenia dhe Austria.

Mesazhi i saj ka qenë i qartë: “Evropa është me ju”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore