Lajme

BE-ja kundër shkarkimit të Ekipit Menaxhues: Është shkelje e marrëveshjeve


Peter Stano

Ekipi Menaxhues për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet të jetë në funksion deri në momentin kur të miratohet statuti i këtij mekanizmi, ka thënë të mërkurën, Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Kështu tha Stano në një prononcim për platformën “Kallxo”, pasi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, liroi nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit.

“Sa i përket vendimit të raportuar të Kosovës për shpërbërjen e ekipit menaxhues, marrëveshjet e dialogut thonë qartë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit/Bashkësisë për Komunat me shumicë serbe”, tha ai.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijela Vujiçiç, Jelena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç, sipas Stanos, “shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve”.

“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi Stano.

Zëdhënësi i BE-së, ndër të tjera, theksoi se ndërmjetësuesit evropianë – Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak – do të ftojnë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – për të filluar negociatat për statutin dhe se Ekipi Menaxhues do të ftohet të marrë pjesë në proces nëse është e nevojshme.

“Lehtësuesi i BE-së do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët e tyre në Bruksel për të filluar negociatat për statutin. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, dhe të përfundojnë negociatat me shpejtësi”, tha Stano.

Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është prezantuar të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se i njëjti është i papranueshëm ngase bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Ndryshe, diplomatët evropianë dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, po insistojnë se krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore