Kosova

BE-ja do dialog për urën e Ibrit – Kosova i ankohet Lajçakut


Ura e Ibrit/Radio Evropa e Lirë

Autoritetet në Kosovë janë futur sërish “në sherr” me Bashkimin Evropian (BE), posaçërisht sa i përket inciativës për hapjen e urës mbi lumin Ibër – derisa BE-ja ka paralajmëruar se do të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës kryesore në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, ekzekutivi kosovar ka insistuar se kjo çështje ka përfunduar në vitin 2016.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, ka thënë se ekzekutivi kosovar ka respektuar rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, përfshirë kërkesën e Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës të fundit në Prishtinë.

“Në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë, më 19 qershor, gjatë takimit që kemi pasur, ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje [hapjen e urës së Ibrit] në Bruksel, rekomandoi që të zhvillohen diskutime të brendshme me serbët lokal në veri, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre”, ka thënë Bislimi.

Lajçaku ka nënvizuar të mërkurën në orët e vona se sugjerimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në veri, ose që ka ndryshuar pozicion, janë çorientuese: “BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në dialog. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin janë çorientuese”.

Teksa i ka cilësuar si “çorientuese” deklaratat e autoriteteve kosovare se BE-ja është kundër hapjes së urës së Ibrit, emisari sllovak ka shtuar se “marrja e një vendimi kundër vullnetit të njerëzve të prekur, nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve”, duke përsëritur se për zbatimin e marrëveshjes për urën do të diskutohet në raundin e ri të dialogut në Bruksel.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka pyetur gjithashtu emisarin sllovak se çfarë ka ngjarë që BE-ja ka ndryshuar qëndrimin rreth hapjes së urës, përkatësisht çfarë e ka shtyrë  BE-në të kalojë nga ajo duhet të hapet “pa vonesa të mëtutjeshme” në “duhen më tepër bisedime” në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“BE-ja së fundi ka thënë se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në dialog… Qartësisht ekziston një ndryshim në qëndrimin e BE-së për të njëjtën çështje. Do të ishte korrekte t’u thuash njerëzve pse ky ndryshim? Çfarë ka ndryshuar për BE-në që të kalojë nga ‘hapja e urës pa vonesa të mëtejshme’ në ‘duhen më shumë bisedime?’”, ka theksuar Krasniqi.

Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetatin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete. Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore