Lajme

BE-ja, 7 milionë euro ndihma për sistemin e drejtësisë në Kosovë


Bashkimi Evropian (BE) ka ofruar mbështetje financiare prej 7 milionë eurosh me qëllim përmirësimin e sistemit drejtësisë në Kosovë.

Programi është prezantuar nga zyra e BE-së  në Kosovë, dhe ka si qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në përputhje me standartet evropiane dhe ndërkombëtare.

Ai është prezantuar nga ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

Së bashku me Szunyog-un ishin edhe përfaqësues nga  Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial, Akademia e Drejtësisë.

“Qëllimi i këtij projekti është forcimi i kapaciteteve dhe rritja e bashkëpunimit të institucioneve të sektorit të drejtësisë”, tha Volmar Theobald nga sektori i drejtësisë në Zyrën e BE-së.

“Dëshirojmë të forcojmë pavarësinë, llogaridhënien, profesionalizmin dhe kualitetin, efikasitetin dhe transparencën e këtij sistemi”.

Theobald shtoi se kjo mbështetje do të përmirësohet qasja në drejtësi sidomos për gratë dhe grupet e margjinalizuara.

Ndërsa, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Pranvera Ejupi, u shpreh se ky “projekt është një nga më ambiciozët dhe projektet më të nevojshme për institucionet e drejtësisë në vend”.

“Ky është një projekt, aktivitetet dhe objektivat e të cilit fokusohen tek nevojat dhe përmirësimi i dobësive të sistemit tonë të drejtësisë. Programi do të përfshijë 450 aktivitete për të përforcuar sistemin e drejtësisë”.

Projekti ka filluar në tetor 2020 dhe do të zbatohet deri në  janar 2024.

Me 1 shkurt, do të nisin punën 12 ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në kuadër të këtij programi. Synimi është të ndihmojnë institucionet në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale, forcimin e pavarësisë, paanshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës së gjyqësorit.

/AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore