Lajme

“BE është e obliguar të ketë status neutral ndaj Kosovës”


“Një zgjidhje e drejtë e situatës në Kosovë do të ndikojë shumë në të ardhmen dhe reputacionin e Bashkimit Evropian si ndërmjetës. BE në këtë rol, me qëndrimin e vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, ka obligim të mbetet me status neutral dhe një ndërmjetës i vullnetit të mirë”, ka shkruar në Twitter abati i manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Ai tha se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm kryesisht për normalizimin e jetës në Kosovë dhe në rajon.

“Por parakushti kryesor për dialog është respektimi i barabartë i të drejtave dhe lirive për të gjithë në Kosovë, gjë që nuk është rasti”.

Sipas tij, “çdo zgjidhje e nxituar ose e imponuar që privilegjon në mënyrë të njëanshme njërën palë dhe dëmton tjetrën është në thelb e pazbatueshme dhe e padrejtë”.

“Të këmbëngulësh për ndryshimin e kufijve në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KB si një parakusht për një marrëveshje është një thirrje e hapur për konflikt të mëtejshëm në të gjithë rajonin”.

Janjiq ka kërkuar që dialogu të vazhdojë për ta mbrojtur trashëgiminë “e rrezikuar” serbe në Kosovë.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të rrezikonte mbijetesën thelbësore të popullit tonë dhe të Kishës Ortodokse Serbe, do të çonte në fshirjen e historisë sonë, do të ishte një shembull i hapur i diktatit politik, i cili herët a vonë do të çonte në një konflikt që do të kërcënonte gjithë rajonin dhe vetë BE-në. Asnjë vend normal nuk do ta pranonte këtë”, ka potencuar Janjiq.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore