Lajme

BE: AstraZeneca të mbajë premtimin për shpërndarjen e vaksinave


“AstraZeneca duhet të kapë ritmin për mbajtjen e premtimit mbi dozat kundër Covid-19 për Evropën, përpara se të nisë vaksinat në vende të tjera”.

Kështu ka thënë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një samiti ku u diskutua shpërndarja e vaksinave.

Nga ana tjetër, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha për reporterët se “naivitetit të Evropës i ka ardhur fundi”.

Vendet e unionit kanë akuzuar drejtpërdrejtë kompaninë britanike për ngërçin në shpërndarjen e vaksinave. AstraZeneca gjithsesi, nuk e ka pranuar këtë kritikë, duke pohuar se kontratat e premtuara janë mbajtur.

“Mendoj se është e qartë që kompania duhet të përshpejtojë ritmit”, vijoi von der Leyen. “Përpara se të shpërndajnë për vendet e tjera, duhet të plotësojnë porositë evropiane”.

BE-ja është kritikuar shpesh nga Britania e Madhe dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për një të ashtuquajtur “nacionalizëm vaksinash”. Kjo, pas vendosjes së kontrollit mbi eksportet e vaksinave.

Boris Johnson ka thënë më parë se këto “bllokada” janë “të pandjeshme”. Përtej këtij fakti, bllokimi i AstraZenecas me dozat e saj në disa vende, mund të çonte në pezullimin e vaksinave të Pfizer-it në Belgjikë.

Por, Leyen, i mëshoi faktit se “Evropa është rajoni që eksporton më shumë vaksina në botë”.

Vaksinimi me AstraZeneca u pezullua në disa vende evropiane pas problemeve që u shfaqën tek disa pacientë. Shumica e këtyre vendeve gjithsesi, e kanë rinisur vaksinimin me dozat britanike. Danimarka ndërkohë, mbetet ende në pritje të testimeve të tjera.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore