Shqipëria

BBC: Shqipëria “lufton” për të shpëtuar fëmijët nga kampi Al- Hol


Televizioni BBC, i ka dedikuar të dielën, një artikull fëmijëve dhe grave shqiptarë të mbetur në kampin Al- Hol.

BBC e fillon historinë me Evën, vajzën që në moshën nëntë vjeçare u rrëmbye nga i ati dhe u dërgua në Siri. Sot Eva është 16 vjeç dhe ndodhet akoma në kampin Al- Hol bashkë me 70 mijë fëmijë shtetas të huaj.

Ndërsa vëllai i saj Endri, 14 vjeç, është sjellë në Shqipëri nga forcat speciale shqiptare në tetor të 2020-ës. Përveç Endrit, janë riatdhesuar tre fëmijë të tjerë dhe një grua.

Në foto Xhetani me nipin e tij Endri.

Kampi i refugjatëve Al-Hol ndodhet në pjesën jugore të qytetit Al-Hol, në verilindje të Sirisë afër kufirit Siri-Irak. Në këtë kamp ndodhen individë të zhvendosur nga Shteti Islamik dhe kontrollohet nga Forcat Demokratike Siriane kurde (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja.

SDF  është një aleancë e autoriteteve kurde dhe arabe, që u themelua në 2015.

Aktualisht në kampin Al- Hol janë 30 fëmijë dhe 10 gra shqiptare. Ish- ministri i brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, është shprehur më parë se e ka “detyrim moral” për të riatdhesuar të paktën fëmijët. Kjo sepse ata nuk janë terroristë, por “viktima të prindërve të tyre të papërgjegjshëm”.

Negociatat me autoritetet kurde si dhe me nënat, po vazhdojnë për të lejuar riatdhesimin.

Artikulli flet dhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që kanë braktisur familjen për të luftuar me Frontin al-Nusra në Siri.

Bekimi, një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, u mor rob nga forcat kurde në 2013-ën. Familjarët i janë drejtuar për ndihmë qeverisë shqiptare sepse kanë humbur kontaktet me të gjatë dy viteve të fundit.

Përpjekjet për të riatdhesuar shqiptarët janë përqendruar vetëm tek qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe jo tek ata etnik.

Në vitin 2018, qeveria e Kosovës, me ndërmjetësimin e SHBA-së, ka kthyer 110 gra dhe fëmijë nga Siria.

Militantët islamik në kampin Al- Hol, ju bëjnë “shpërlarje truri” të gjithë grave dhe fëmijëve për besimin e tyre fetar./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore