Shqipëria

BBC: Pse dhe si po vijnë shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar?


Ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick, ka bërë me dije numrin e emigrantëve shqiptarë që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe këtë vit.

“Nga varkat e vogla, 80% e individëve vijnë nga Shqipëria”, u tha ai deputetëve.

Britanikja “BBC” nisur nga këto shfira ka kryer një hetim për numrin e shqiptarëve që janë larguar, mënyrën dhe arsyet.

Ajo shkruan se në vitin 2020 vetëm 50 persona mbërritën me varka të vogla në Angli, në vitin 2021 ky numër shkoi në 800 dhe në vitin 2022 arriti pikun prej plot 12 mijë personash.

“Rritja ka qenë eksponenciale dhe ne mendojmë se kjo është kryesisht për shkak të faktit se bandat kriminale shqiptare kanë fituar një bazë në veri të Francës”, tha Komandanti i caktuar specifikisht për këtë çështje, Dan O’Mahoney.

Kjo teksa ai po raportonte te Komisioni i Përzgjedhur i Çështjeve të Brendshme.

Sipas tij, nga emigrantët shqiptarë të këtij viti, rreth 10 mijë ishin burra beqarë dhe në moshë të rritur.

“BBC” shkruan se, bandat shqiptare të drogës janë një element tjetër që po futet në lojë.

Sipas hetimit këto banda po përdorin kampet e emigrantëve në Francën veriore si një terren rekrutimi, duke ofruar pagesën e kalimit të atyre që janë përgatitur për të punuar në industrinë e drogës në Mbretërinë e Bashkuar pas mbërritjes.

Edhe pse paguajnë shifrën bandat shqiptare nuk janë organizuese të kalimit. Ky i fundit drejtohet dhe organizohet nga shtetas kurdë.

Në qytetin francez të Dunkirkut këtë verë, dëshmitarët okularë thonë se shqiptarët “pushtuan” një pjesë të kampit kryesor të emigrantëve atje.

Skeda e publikuar nga “BBC”, ku tregohet se shqiptarët zënë vendin e parë të numrit të mbërritjeve me gomone në Britani
Por, sa nga emigrantëve shqiptarë u jepet azil?

Deri në qershor të vitit 2022 janë paraqitur 7 mijë e 267 kërkesa për azil nga emigrantët shqiptarë, dyfishi i një viti më parë.

Në përgjithësi, sipas të dhënave nga “BBC” 53% e pretendimeve nga shqiptarët pranohen.

Rreth 14% e pretendimeve të suksesshme ishin nga burra beqarë, të rritur. Shumica ishin nga gra dhe fëmijë.

Disa emigrantë shqiptarë besohet se bëjnë kërkesa për azil me arsyetimin se janë viktima të trafikut në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në vend që të kërkojnë azil, disa emigrantë shqiptarë zgjedhin të zhduken dhe të punojnë ilegalisht në MB, përpara se të kthehen në vendin e tyre”, tha O’Mahoney.

Qytetarët shqiptarë të kualifikuar mund të aplikojnë për viza, me kohëzgjatje të ndryshme, për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar për turizëm, biznes, studime dhe aktivitete të tjera.

Ardhja e emigrantëve më 29 tetor 2022
Sa shqiptarë janë kthyer?

Në vitin 2022, në gjashtë muajt deri në qershor, 440 persona u kthyen në Shqipëri – pothuajse të gjithë ishin beqarë, burra të rritur.

Sipas të dhënave, shqiptarët përfaqësonin numrin më të madh të shkelësve të huaj të dërguar në vitin 2022.

Një marrëveshje dypalëshe e nënshkruar në vitin 2021 nga sekretarja e atëhershme e Brendshme, Priti Patel, dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, synonte të përshpejtonte largimin e kriminelëve shqiptarë dhe azilkërkuesve jo ligjorë nga Britania e Madhe.

“Më shumë se 1 mijë shqiptarë, duke përfshirë disa që kaluan Kanalin ilegalisht për të ardhur në MB janë kthyer në bazë të kësaj marrëveshjeje”, thotë Home Office.

Çfarë i bën emigrantët të largohen nga Shqipëria?

“BBC” shkruan se tri dekada pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60% e popullsisë së rritur të vendit donte të largohej.

Kjo, sipas një sondazhi të kompanisë analitike dhe këshilluese amerikane “Gallup”, të publikuar në dhjetor 2018.

Ata përmendën korrupsionin, pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës dhe cilësinë e ulët të jetës si arsyet e tyre kryesore.

“Të ardhurat mesatare vjetore neto të familjeve në Shqipëri ishin vetëm 1 mijë e 997 euro në 2018, sipas shifrave më të fundit të disponueshme nga Eurostat, ndërsa në MB ishte 21 mijë e 464”.

Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe negociatat për këtë u hapën në korrik të 2022-shit.

Aktualisht, qytetarët shqiptarë mund të hyjnë pa viza në BE dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore si turistë – por ata nuk kanë të drejtë automatike për të punuar, studiuar apo jetuar atje.

A view of the capital Tirana

Cilat janë shqetësimet për bandat shqiptare?

Duke informuar deputetët për emigrantët shqiptarë,  O’Mahoney tha se ka padyshim njerëz që “kanë nevojë për ndihmën tonë, por ka edhe një numër të madh që po bëjnë lojëra qëllimisht me sistemin”.

Ai këmbënguli për rolin e bandave kriminale shqiptare në Britaninë e Madhe.

Një raport i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) i publikuar në fillim të këtij viti tha se, këto banda ishin përgjegjëse për “fermat e kanabisit” në shkallë industriale në MB.

Bandat shqiptare janë gjithashtu lojtarët kryesorë në tregun e kokainës prej 5 miliardë paundësh në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2017, një shtetas shqiptar u burgos pasi drejtoi një operacion kontrabande kokaine me vlerë rreth 60 milionë funte.

Operacionet e policisë kanë çuar në arrestime të shumta të shqiptarëve të dyshuar për kontrabandë me njerëz.

Vitin e kaluar, Home Office nisi një zgjatje të programit të saj “Parandalimi” për të devijuar adoleshentët shqiptarë të rrezikuar nga bashkimi me bandat që trafikonin njerëz dhe kokainë në MB.

Shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të shtetasve të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore