Sport

Bayern Munich, tifozët kërkojnë anulimin e marrëveshjes me ‘Qatar Airways’


Sipas medias britanike “The Independent”, tifozët e Bayern Munich-ut i kanë kërkuar klubit të anuloj marrëveshjen që ka me kompaninë “Qatar Airways”.

Arsyeja se përse tifozët duan anulimin e saj është për shkak se Katari, që ka nën pronësi kompaninë ajrore, akuzohet për shkeljen e të drejtave të punëtoreve.

Disa prej punëtorëve, kryesisht nga Azia Jugore, kanë gjetur vdekjen teksa ishin duke punuar për ndërtimin e stadiumeve ku do të luhet Kupa e Botës 2022.

Marrëveshja mes klubit gjerman dhe kompanisë nga Katari përfundon në fund të këtij sezoni dhe bavarezët po mendonin rinovimin e saj. Por, në mbledhjen e përgjithshme vjetore të klubit, tifozët kanë paraqitur ankesat e tyre për këtë marrëveshje.

“Ky vend përfaqëson shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe korrupsionit në sport. Në vend të sjellë ndryshimin, FC Bayern po ndihmon në mënyrë aktive për të larguar vëmendjen nga abuzimi i sponsorit të tyre në Katar. Heshtja për situatën në Katar do të thote se Bayern-i është indiferent ndaj saj”, thuhet në ankesën e tifozëve drejtuar klubit.

“Duke vepruar kështu, FC Bayern dëmton reputacionin e tij. Duhet pranuar se Bayern-i nuk është i vetmi klub futbolli i sponsorizuar nga Katari. Kundërshtarët tanë në finalen e Champions League (PSG) sezonin e kaluar janë në pronësi të Katarit”.

“Shtetet e tjera me precedentë të ngjashëm të të drejtave të njeriut gjithashtu sponsorizojnë shumë klube futbolli. Por, Bayern-i nuk është një klub si të tjerët. FC Bayern ka qenë gjithmonë unik dhe ka qenë gjithmonë një pionier në çdo aspekt”.

“Ne duhet të vazhdojmë të jemi. Ne nuk shkojmë me turmën, por japim një shembull të qartë për të drejtat e njeriut. Kjo na dallon edhe një herë nga shumica e klubeve më të mira evropiane”.

“Me të drejtë jemi krenarë që e kemi fituar suksesin tonë me punë të palodhur. Paratë nga një marrëveshje e tillë janë diçka për t’u turpëruar. Reputacioni i klubit tonë është dëmtuar rëndë”.

“Kjo duhet të korrigjohet urgjentisht në mënyrë që ne të jemi ende krenarë për arritjet e FC Bayern-it tonë në të ardhmen”, përfundon shkresa e tifozëve bavarezë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore