Sport

Bayern Munich kalon me lehtësi në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë


Bayern Munich është skuadra e radhës që ka kaluar në raundin çerekfinal të Kupës së Gjermanisë. Bavarezët patën një paraqitje të shkëlqyer ndaj Mainz-it, duke fituar me shifrat 4-0.

Në takimin e zhvilluar në transfertë, Bayern-i ishte dominues dhe i qartë në lojën e tij. Çfarë e tregon dhe rezultati përfundimtar i takimit.

Goli i parë i sfidës u shënua nga kamerunasi, Eric Maxim Choupo-Moting në minutën e 17-të, teksa njeriu asist ishte Joao Cancelo. Me portugezin që kishte dhe debutimin me fanellën bavareze.

Jamal Musiala në minutën e 30-të do të realizonte golin e dytë të sfidës. Thomas Muller ishte njeriu asist në këtë rast.

Goli i tretë do të vinte në minutën e 44 nga Leroy Sane dhe me asistimin e Choupo-Moting. Një gol që do të mbyllte dhe pjesën e parë me shifrat 3-0 për miqtë.

Në pjesën e dytë, bavarezët e ulën disi ritmin, por arritën të shënonin dhe një gol në minutën e 83-të me autor, Alphonso Davies.

Me kualifikimin e arritur, Bayern shkon në çerekfinale ku më herët janë kualifikuar Union Berlin, Leipzig dhe Stuttgart.

Takimet e radhës për raundin e të 16-ve do të jenë: Sandhausen – Freiburg, Eintracht Frankfurt – Darmstadt, Nurnberg – Fortuna Dusseldorf dhe Bochum – Borussia Dortmund. Dy takimet e para zhvillohen më 7 shkurt, ndërsa të dytat më 8 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore