Sport

Bayern i tregon “derën” katër lojtarëve


Bayern Munich pasi kreu disa afrime me pesh këtë merkato, tashmë ka vendosur të largojë katër futbollistë.

“Bild” raporton se Bouna Sarr, Adrian Fein, Joshua Zirkzee dhe Gabriel Vidovic mund të largohen të gjithë nga Bayern-i para mbylljes së afatit kalimtar.

Një total prej 11 lojtarësh tashmë janë larguar nga bavarezët këtë verë, duke sjellë pak më pak se 100 milionë euro në arkat e klubit.

Së pari dhe më kryesorja, Bayern po kërkon të largojë Sarr. Por ende nuk ka marrë ndonjë ofertë për mbrojtësin e djathtë senegalez, i cili tani mund të shtyjë vetë për një lëvizje për të shmangur rrezikimin e vendit të tij në skuadrën e Kupës së Botës të Senegalit.

Dukej sikur Fein do të largohej nga klubi më herët gjatë verës, por kalimi i tij i propozuar në Shtetet e Bashkuara dështoi.

Ai tani kuptohet se është në bisedime me Excelsior Rotterdam, por paga e tij vjetore prej rreth 2 milionë euro është pengesë.

Pas huazimit te Parma dhe Anderlecht, Zirkzee mund të largohet përgjithmonë nga klubi. Anderlecht thuhet se po udhëheqë garën për sulmuesin përpara Gladbach, Augsburg, Stuttgart dhe klubeve nga Anglia.

Më në fund, 18-vjeçari, Vidovic mund të largohet në huazim me shpresën për të marrë sa më shumë minuta në një skuadër profesioniste.

Sipas “Bild”, menaxhmenti i tij shpreson ta dërgojë sulmuesin e ri në një klub tjetër të Bundesliga-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore