Kosova

Baton Haxhiu për Kurtin: Fitorja në zgjedhje do të jetë humbja e tij


Analisti Baton Haxhiu ka deklaruar në emisionin “Zonë e lirë”, se dëshiron që kryetari i lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti, t’i fitojë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që të shihet se sa i pafuqishëm do të jetë në atë post.

“Më e mira do ishte që Albin Kurti të votohet nga të gjitha partitë politike dhe le t’i marrë të gjitha pushtetet. Kjo është ajo që e dënon më së shumti atë”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas tij, Kurti është “i paguximshëm” dhe “me karakter të dobët”, ndaj “duhet t’i fitojë zgjedhjet, sepse vetëm atëherë do ta kuptojë sa e vështirë është të ulesh në tavolinë me ndërkombëtarë”.

Gjithashtu Haxhiu është shprehur se Kurti do mund të rikthehet në qeveri vetëm nëse bën koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Do të kemi një koalicion të listës zgjedhore të Vjosa Osmanit me Albin Kurtin. Albin Kurti ka pasur një qëllim të përhershëm, të shkatërrojë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). E vetmja mundësi që të bëhet parti e parë është të marrë elektoratin e LDK-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore