Lajme

“Batalioni i Monaco-s”: oligarkët dhe deputetët ukrainas në Rivierë në vend që të jenë në front


Ata i quajtën në shenjë përbuzjeje, batalioni Monaco. Por 84 deputetët dhe oligarkët ukrainas për të cilët SBU, inteligjenca e Kievit, ka hapur një dosje hetimore, nuk janë aspak ushtarë të gatshëm të vdesin për atdheun e tyre. Burra që, ndërsa vendi i tyre ra nën goditjet e Moskës, paketuan valixhet dhe u strehuan në Monaco, Monte Carlo dhe Nice.

Gazeta ukrainase “Ukrayinska Pravda” i nxorri në një hetim të botuar më 17 gusht, pak para Ditës së Pavarësisë. Një scoop ky që ka indinjuar të gjithë vendin prej gjashtë muajt në luftë, duke ngritur çështje të rëndësishme tashmë të njohura për publikun ukrainas, nga korrupsioni i elitave politike dhe financiare e deri te pabarazitë sociale, të lënë në hije nga lufta.

Varka dhe miliona

Jahte, makina luksoze, ditë të kaluara në përtaci mes blerjeve dhe notit në det, të gjitha të dokumentuara nga video dhe imazhe të publikuara nga media zyrtare e Kievit. Emrat e famshëm në listë përfshijnë deputetin ukrainas Ihor Abramovich dhe Serhiy Vyazmikin, ish-drejtor i përkohshëm i Departamentit të Policisë Kombëtare të Ukrainës për Mbrojtjen Ekonomike, të parë duke shëtitur rreth Cap Ferrat.

Pastaj biznesmenë si Kostyantyn Zhivago, njeriu i katërt më i pasur në Ukrainë, ish-pronar i bankës SHA, i dyshuar për përvetësim për 113 milionë dollarë. Jahti i tij, Z (për ironi si shkronja me një simbol të përdorur nga rusët në luftë) është ankoruar në brigjet e Monaco-s.

Por edhe Ihor Surkis, një oligark i njohur si pronar dhe president i skuadrës “Dynamo Kyiv” që nga viti 2002, i njohur në kazinonë Monte Carlo me vëllain e tij, ish-deputetin Hryhoriy Surkis dhe ish-kreun e Federatës së Futbollit të Ukrainës. Të dy “banorë” për momentin në një apartament me qira, qiraja e të cilit shkon rreth dy milionë në vit.

Gazetarët ukrainas më pas vunë re një Bentley Flying Spur me një targë Dnipro në pronësi të Vadym Yermolaiev, i cili është një zhvillues programesh për kompjuter dhe personi i 45-të më i pasur në Ukrainë. Dhe, jo shumë larg kazinosë Monte Carlo, një makinë me targa nga Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, nën sulmin e përditshëm nga artileria ruse. Asgjë më pak se sa një Mercedes Maybach, vlera e të cilit shkon rreth 300 mijë euro. E rregjistruar në emër të një kompanie.

Duke kaluar kufirin, 82 anëtarët e “Batalionit të Monaco-s” kanë shkelur ligjin ushtarak të vendosur nga qeveria e Kievit, i cili ndalon burrat nga 18 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi. Për deputetët – vazhdon hetimi – ekziston edhe rrethana rënduese se kanë braktisur për gati gjashtë muaj, në një moment veçanërisht delikat, punën e Rada Verkhovna, parlamentit ukrainas.

George Woloshyn, kolumnist për të përditshmen “Kyiv Post”, komentoi: “Këta janë njerëz që kanë bërë pasurinë e tyre në një nga vendet më të varfra në Evropë dhe presin të shohin se si do të përfundojë lufta. Nëse Ukraina fiton, ata do të kthehen për t’u pasuruar. Por nëse ja del Moska, ata do të kenë mjaftueshëm për të jetuar të qetë për pjesën tjetër të jetës së tyre”.

Pastaj ai vjen me propozimin se nëse nuk burgosen apo dënohen, një pjesë e madhe e shoqërisë ukrainase kërkon gjobë për anëtarët e Batalionit të Monaco-s. Para që mund të përdoren për rehabilitimin e ushtarëve të plagosur dhe për të blerë mbrojtje më efektive për ata që janë ende në fushë, sugjeron Wolochyn.

Për deputetët dezertues, eksponentja e partisë së Presidentit Volodymyr Zelensky,  Maryana Bezugla, ka paraqitur tashmë një mocion për t’i larguar nga Parlamenti kolegët e saj që lanë vendin në kohë lufte.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore